05-05-2024

Prizren: Kujtim Gashi kërkon të hudhet poshtë aktakuza për lidhje të kundërligjshme të kontratave me televizionet lokale

Nga kjo gjykatë, ish-ministri Gashi, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza që atë e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Këtë vepër penale, ai akuzohet se e ka kryer në kohën sa ka qenë kryesues i Kuvendit Komunal në Prizren, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se pa procedura të tenderimit, ka lidhur kontrata me dy televizione lokale TV Besa dhe TV Opinion

Në seancën e shqyrtimit të dytë që është mbajtur të mërkurën, i akuzuari Gashi, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Artan Qerkini, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të hudhet poshtë, si e pabazuar.

Avokati Qerkini, ka thënë se qëndron pranë kërkesës për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave të parashtruar me shkrim, më 20 janar 2020.

Ai ka shtuar se veprimet e përshkruara në aktakuzë nuk përbëjnë faktet kriminale dhe si të tilla nuk plotësojnë figurën e veprës penale, sepse sipas tij, për tu plotësuar kjo figurë e veprës penale, personi duhet të jetë zyrtar, të tejkalojë kompetencat e tij, apo të mos përmbush detyrat e tij, me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjell dobi, apo të shkaktojë dëm personit tjetër.

Sipas avokatit Qerkini, i mbrojturi i tij, asnjëherë nuk ka pasur qëllim t’i sjell përfitim vetes, dikujt tjetër, apo t’i shkaktojë dëm ndokujt dhe kjo sipas tij, vërtetohet me faktin se pas njoftimit nga Auditori se ky veprim mund të jetë në kundërshtim me ligjin, i njëjti i ka ndërprerë këto kontrata.

Nga ana tjetër, prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka deklaruar se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtësit të të akuzuarit.

Prokurori Sefa tha se aktakuza është ngritur në bazë të provave të pranueshme për gjykatën, duke  u bazuar në ekspertizën financiare, kontratën e nënshkruar nga i akuzuari Gashi dhe pasqyrat financiare të Auditorit.

Sipas prokurorit, mbrojtja e të akuzuarit në kërkesën për hudhjen e aktakuzës në faqen 6, pranon se i mbrojturi i tij, ka marrë vërejtje nga Auditori për lidhjen e kontratave me televizionet lokale, se ato duhet t’i nënshtrohen procedurave të prokurimit, ku sipas tij, praktikisht mbrojtësi e pranon se do harxhim i parasë publike duhet t’u nënshtrohet rregullave të ekonomisë së tregut.

Ai ka kërkuar që aktakuza të pranohet, duke i propozuar gjykatës që të caktohet seanca e shqyrtimit kryesor në këtë rast.

Mirëpo, para paraqitjes së kërkesave, gjykatësja Raime Elezi, ka kërkuar nga prokurori Sefa, të dijë se kush ashtë palë e dëmtuar në këtë rast.

Prokurori Sefa ka deklaruar se palë e dëmtuar në këtë rast është Komuna e Prizrenit dhe i ka propozuar që në seancën e shqyrtimit kryesor, përfaqësuesi i komunës të ftohet si palë në procedurë.

Një pretendim të tillë, e ka kundërshtuar mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Qerkini, i cili ka thënë se ftesa e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, si palë e dëmtuar në këtë procedurë, është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale, pasi që ky kod, sipas tij, nuk e autorizon Prokurorinë, që në këtë fazë të procedurës të përcaktojë palën e dëmtuar.

Për më tepër, siç ka thënë ai, në aktakuzë nuk ka prova se Komuna e Prizrenit është e dëmtuar.

Gjykatësja Raima Elezi, ka thënë se për kërkesën e palëve do të marrë vendim me shkrim brenda afatit ligjor.

Ndryshe, i akuzuari Gashi, me 3 janar 2020, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 17 dhjetor 2019, Kujtim Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Kujtim Gashi, gjatë 2015-tës e deri në tetor 2016, në cilësinë e kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, “TV Besa” dhe “TV Opinion”.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Gashi, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren.

Sipas aktakuzës, Gashi, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Besa”, në vlerë prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa pagesat për këto shërbime janë autorizuar gjatë vitit 2016 në shumën prej 1,750 euro.

Në aktakuzë thuhet se ai po ashtu, gjatë periudhës kohore 8 janar 2015, kishte lidhur kontratë me “TV Opinion”, në vlerë prej 400 euro, për ritransmetimin e seancave të Asamblesë Komunale në Prizren, ku pagesat, sipas aktakuzës, janë transferuar gjatë viteve 2015-2016, në shumën prej 6700 euro.

Sipas aktit akuzues, vlera e përgjithshme që Gashi ka autorizuar për këto dy televizione është 8450 euro.

Ndryshe, Kujtim Gashi ka qenë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë Haradinaj.

Kurse, në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019, Gashi është zgjedhur deputet në Kuvendin e Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.