Prizren: Ky është 45-vjeçari që vdiq sot në aksidentin tragjik me paragllajd
Gjatë fluturimit me paragllajd një person ka mbetur i vdekur, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda.
Këtë e ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
“Rreth orës 13:00, policia ka marrë një njoftim rreth një incidenti të ndodhur në një zonë të fluturimeve me paragllajd. Në parashutë kanë qenë dy persona, meshkuj. Nga informatat e para, njëri ka ndërruar jetë, ndërsa tjetri ka pësuar lëndime të rënda dhe është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Prizren”, ka thënë Osmanollaj.
Mësohet se personi që mbeti i vdekur si pasojë e këtij aksidenti tragjik është Artan Venhari, 45-vjeçar.
Për vdekjen e Artanit, ka shkruar ish-deputeti Ilir Deda dhe Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi dhe drejtori ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci.
“Shumë herët na la Artan! Pushove pikërisht në lirinë e qetësinë që e kishe gjet në ajër. Prehu në paqe mik i dashtun”, ka shkruar Deda.
Ndërkaq Peci la ngushëlluar familjen Venhari, duke thënë se Artani ka qenë njeri i dashur dhe koleg i shkëlqyer./Telegrafi/