Prizren: Largimi i ushtarëve gjerman, mbyll vendet për 187 punonjësit vendorë
Me përfundimin e misionit të ushtarëve gjerman të KFOR-it në Prizren, merr fund edhe angazhimi i rreth 187 punëtorëve të fundit vendorë, të cilët kanë punuar në Kampin Fushor në këtë qytet, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Pas një qëndrimi prej gati dy dekadash në Prizren, në fillim të tetorit nis largimi i ushtarëve gjerman, të cilët kanë vepruar në kuadër të Trupave Paqeruajtëse të KFOR-it
Përfaqësuesit e kontingjentit gjerman kanë vlerësuar se punëtorët vendorë me punën e tyre, kanë dhënë një kontribut të çmuar për Bundeswehr-in.
Oficerja për media, pranë Kontingjentit gjerman të KFOR-it, në Kampin Fushor-Prizren, Denise Alten, ka thënë për portalin “GazetaePrizrenit.net” se Bundeswehr-i është i vetëdijshëm për rolin e tij si një punëdhënës regjional, ndërkohë që deri në dorëzimin e Kampit, numri i të punësuarve vendorë do të zvogëlohet vijimisht.
“Me njoftimin në janar 2017, rreth planifikimit për mbylljen e Kampit Fushor, punëtorëve vendorë, herët u është dhënë mundësia për një riorientim me kohë në tregun e punës”, ka thënë ajo.
Që nga vendosja e Trupave Paqeruajtëse gjermane të KFOR-it (nga 12 qershori 1999, pas tërheqjes nga Kosova të trupave serbe), në kuadër të këtij misioni ka qenë i angazhuar edhe një numër i punëtorëve vendor, numër ky që është zvogëluar gradualisht.
Togerja Alten, ka thënë se Bundeswehr-i punëtorëve të tij u lëshon dëshmi pune kualifikimi për aplikime në të ardhmen, që t’i mbështet gjatë kërkimit për një vend të ri pune, si dhe paguan shpërblime për punëtorët, varësisht nga kohëzgjatja e punësimit të tyre.
Kampi i deritashëm të cilin e ka shfrytëzuar KFOR-it gjerman është planifikuar që më tutje të shfrytëzohet si „Park inovacioni dhe trajnimi“. /GazetaePrizrenit.net/