17-05-2024

Prizren: LDK dorëzon në prokurori tre kallzime penale ndaj drejtorëve të Komunës

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Prizren, sot ka dorezuar në Prokurori tre kallzime penale me pretendime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të autoriteteve komunale të Komunës së Prizrenit, ashtu siç pat shkruar para disa ditësh “Gazeta e Prizrenit”.

Pasi ka dorëzuar Kallëzimet, LDK-së doli me Komunikatën për Media: 

“Ashtu siç kishte paralajmëruar Dega e LDK-së, në konferencën e mbajtur javën e kaluar, sot janë denoncuar edhe zyrtarisht në Prokurorinë Themelore në Prizren, Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Adem Morina, Drejtoresha e Arsimit, Luljeta Veselaj Gutaj dhe Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë, Bërbuqe Krasniqi-Berisha, për veprën penale “Ndërtim pa leje”.

Në një situatë ku komuna e Prizrenit, si një entitet publik, kryen ndërtime pa leje në prona publike është shqetësuese dhe shkelje e rëndë e ligjit. Kjo sjellje jo vetëm që çon në një mungesë të respektimit të rregullave themelore të ndërtimit, por gjithashtu shkel të drejtat dhe interesat e përgjithshme të qytetarëve. Kur një institucion publik si komuna e Prizrenit, që detyrohet me ligj të jetë shembulli i zbatimit dhe respektimit të ligjshmërisë, vetë kryen ndërtime pa leje në prona publike, kjo bëhet jo vetëm skandaloze dhe shkelje e ligjit por edhe kritike për besueshmërinë dhe integritetin e institucionit.

Ndërtimet pa leje nga vetë komunat, krijojnë precedentë të rrezikshëm duke rritur ndjeshmërinë e qytetarëve ndaj drejtësisë dhe zbatimit të ligjit në përgjithësi.

Këto veprime janë skandaloze jo vetëm për shkeljen e ligjit, por edhe për kundërshtinë e dukshme mes sjelljes së institucioneve publike dhe kërkesës së tyre për respektim të ligjit nga qytetarët. Për LDK-në është e papranueshme dhe e dënueshme kultura abuzive e qeverisjes aktuale ne Prizren.

Më konkretisht, kallëzimet penale janë bërë për rastet e listuara më poshtë:

1. Drejtoria e Shëndetësisë,

Ndërtimi i aneksit në Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Reqan.

Mbikëqyëse e projektit si person përgjegjës-zyrtar është : Drejtoresha e Drejtorisë së Shëndetësisë zj.Bërbuqe Krasniqi-Berisha.

2. Drejtoria e Arsimit dhe Shkencës,

Ndërtimi i aneksit në SHFMU “Heronjtë e Lumës” në Vërmicë,

Mbikëqyrëse e projektit si person përgjegjës-zyrtar është: Drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit dhe Shkencës zj. Luljeta Veselaj Gutaj.

3. Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Ndërtimi i “Qendrës së Rinisë” në fshatin Romajë.

Mbikëqyrës i projektit si person përgjegjës-zyrtar është: Drejtori i Drejtorisë së Rinisë Kulturës dhe Sportit z. Adem Morina

LDK – Dega në Prizren, në funksion të mbrojtjes së integritetit të institucioneve publike dhe kujdesit të shpenzimit të taksave të qytetarëve, kërkon nga institucionet e zbatimit të rendit dhe ligjit, që sa më parë të marrin veprime konkrete dhe personat përgjegjës të sillen para drejtësisë”, thuhet në komunikatën e LDK-së./Gazeta e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.