24-11-2024

Prizren: LDK-ja tërheq votat për shpalljen e Erion Veliajt “Qytetar Nderi”, Veliaj tregon se s’është shkurtuar rruga “Ibrahim Rugova”

Kuvendarët e LDK-së në Kuvendin Komunal të Prizrenit, të hënën kanë tërhequr votat e tyre për shpalljen “Qytetar Nderi” të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas tyre, kështu është vepruar pasi që Veliaj nuk e ka trajtuar mirë figurën e ish-presidentit Ibrahim Rugova, përkatësisht ka shkurtuar  një rrugë me emërtimin e tij, derisa një shtatore me vite qëndron në depo,  raporton “Gazeta e Prizrenit”.

Ndërkaq, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka dalë me një sqarim rreth debatit që u shkaktua dje, pas pohimeve se një rrugë që mban emrin e ish -Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovës në kryeqytetin shqiptar është “shkurtuar”, respektivisht një pjesë e saj është emërtuar më një emër tjetër.

Në një intervistë për “Top News”, Veliaj ka thënë se në fakt rruga është zgjatur dhe se ai, pas zhurmës që u krijua, ka folur në telefon me djalin e Rugvës, Ukën.

“Tani le të sqarojmë faktet: Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Rruga ‘Ibrahim Rugova’ jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur dhe po ua shpjegoj pse. Ajo fillon tek Ura e Lanës, vazhdon te Presidenca, pastaj te sheshi ‘Shopen’, por nuk përfundon aty, sepse me hapjen e ish-Gardës së Republikës, vijon matanë saj, duke u zgjatur edhe me 300 metra të tjera. Pjesa tjetër e rrugës, segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’ quhej rruga ‘4 Shkurti’. Ka 7-8 vjet që quhet kështu. Organizatat e Veteranëve na kërkuan saktësimin e emërtimit të saj në ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’, ka thënë Veliaj.

Veliaj ka rikujtuar se familja Rugova ka marrë nënshtetësinë shqiptare në zyrën e tij.

“I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës” ka theksuar Veliaj.

Tutje, krybashkiaku Veliaj ka thëë se politikanët në Kosovë e Shqipëri po tentojnë të shkaktojnë përçarje.

“Këto janë faktet! A ka politikanë në Shqipëri e Kosovë, të cilët nga kolltuku i tyre duan të fusin frymën e përçarjes? Patjetër që ka! Por, dua t’ju kujtoj diçka: Në Tiranë kemi edhe një emërtim tjetër, aty rruga ‘Ibrahim Rugova’ do të takohet me rrugën ‘Kristo Luarasi’, tek Diga e Liqenit, aty ndodhet rruga e ‘Kosovarëve’. Unë dhe administrata jonë ndërtuam shkollën ‘Kosova’, e cila u dogj gjatë kohës që PD-ja bënte gati lejen e pallatit – zonja Tabaku, z. Basha, Petrit Vasili ishte nënkryetar bashkie asokohe, së bashku me Monikën dhe Ilirin në koalicion, u bënë bashkë për të dhënë pallat në territorin e shkollës ‘Kosova’. Sot ajo është ngritur më e fortë, më e bukur, më e madhe se ç’ka qenë kur kam qenë unë fëmijë dhe shkoja në atë shkollë” është shprehur ai.

Asnjë koment

Comments are closed.