19-04-2024

Prizren: Lirohen policët që akuzohen se e keqtrajtuan të dëmtuarin dhe i shkaktuan lëndime trupore

Gjykata Themelore në Prizren, sot, i ka shpallur të pafajshëm dy zyrtarët policor, Isak Sopa dhe Arben Kabashi, të cilët akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Vjollca Buzhala, nuk është provuar se të akuzuarit, gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, i kanë tejkaluar autorizimet e tyre.

Përkundrazi, sipas gjyqtares Buzhala, veprimet e zyrtarëve policor kanë qenë proporcionale për ta mbajtur situatën nën kontroll, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shtator të vitit 2018,  të akuzuarit Arben Kabashi e Isak Sopa ishin liruar nga akuza për veprat penale në bashkëkryerje “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “lëndimi i lehtë trupor”.

Mirëpo, më 21 janar 2019, Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë dhe lëndën e kishte kthyer në rivendosje në shkallë të parë.

Në vendimin e Apelit thuhej se, gjykata e shkallës së parë duhet t’i eliminoj shkeljet esenciale, t’i administroj edhe një herë provat ekzistuese, t’i eliminoj kontradiktat në ato prova, si dhe të ftoj në cilësi të dëshmitarëve zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës, të cilët kanë vlerësuar përdorimin e forcës ndaj të dëmtuarit.

Ndryshe, me 30 tetor 2017, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë  ndaj Isak Sopës dhe Arben Kabashit, për keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare ose autorizimeve publike dhe lëndim të lehtë trupor.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit në fjalë, me 8 gusht 2017, rreth orës 21:15 minuta, në afërsi të “Make Pilarit” në Prizren, duke ushtruar detyrën zyrtare, zyrtarë policor, keqtrajtojnë të dëmtuarin Blerim Gashi, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Në aktakuzë thuhet se, të akuzuarit e kanë ndaluar të dëmtuarin, ia kërkojnë dokumentet dhe i shqiptojnë një tiketë për kundërvajtje.

Sipas aktakuzës, pasi që i dëmtuari kërkon sqarim nga të pandehurit, duke iu drejtuar me fjalët “pse po m’i kërkoni prapë dokumentet?”, të pandehurit fillojnë ta godasin me shufër duke e shtrirë për toke, duke e goditur në shpinë, kokë dhe barkë, me ç’rast të njëjtit i shkaktojnë lëndime të lehta trupore. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.