26-04-2024

Prizren: Mbahet seanca fillestare për tentim vrasje, i akuzuari nuk pranon fajësinë

Të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren është mbajtur seanca fillestare ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë si dhe armëmbajtje pa leje, Salih Gashi.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Genc Nixha, i akuzuari Gashi deklaroi se e ka kuptuar aktakuzën dhe nuk e pranon fajësinë për veprat të cilat i vihen në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Esat Gutaj deklaroi se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, dëshirojnë që të heqin dorë nga shqyrtimi i dytë duke shkuar drejtë e në shqyrtim kryesor.

“Duke pas parasysh bisedat me të mbrojturin tim, shikimin dhe vlerësimin e të gjitha provave të cilat i kam pranuar nga prokuroria jam i mendimit se është në interes të mbrojturit tim dhe vet çështjes të heqim dorë nga shqyrtimi i dytë duke shkuar drejtë për së drejti në shqyrtim kryesor”, ka deklaruar avokati Gutaj.

Pas kësaj, gjykatësja Teuta Krusha deklaroi se për shkak të mos prezencës së palës së dëmtuar dhe dëshmitarëve, gjykata nuk mund të vazhdoi me shqyrtim gjyqësor me arsyetimin se nuk mund të lëshohet vetëm në administrimin e provave sipas aktakuzës.

“Pasi që nuk është prezent i dëmtuari dhe dëshmitarët e propozuar si në aktakuzë, gjykata nuk mund të vazhdoj me shqyrtim gjyqësor pasi që nuk mund të lëshohet në administrimin e provave sipas aktakuzës”, ka deklaruar gjykatësja Krusha, duke njoftuar se seanca e sotme ndërpritet, e njëjta u caktua për 15 shkurt 2021, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 11 dhjetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Salih Gashi.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i pandehuri Salih Gashi akuzohet se më 01 nëntor 2020, rreth orës 01:40 minuta, pas mesnate në fshatin Billushë të Komunës së Prizrenit, tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin Adem Gashi nga fshati Billushë i Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Salih Gashi, pas një fjalosjeje në mes viktimës Adem Gashi e cila kishte ndodhur një orë më parë në kafenen “Qaki”, e cila gjendet në magjistralën Prizren – Zhur, i akuzuari pret që i dëmtuari ta mbyll lokalin dhe pasi që vëren se i njejti është nisur për në shtëpinë e tij e cila gjëndet në fshatin Billushë, me automjetin e tipit “Seat Ibiza”, shkon në afërsi të shtëpisë së viktimës dhe me armën e tij të zjarrit, pistoletë e tipit M-57, të cilën e kishte pasur në automjet, fillimisht shkrep një herë me të njëjtën duke e ftuar të dëmtuarin që të dalë nga shtëpia e tij.

Sipas aktakuzës kur i dëmtuari del nga shtëpia duke qenë i shoqëruar edhe me djalin e tij duke u nis në drejtim të të pandehurit, në atë moment i pandehuri shkrep edhe një herë me armën e tij në drejtim të dëmtuarit i cili arrin që të shmanget nga rreziku dhe kur i afrohet të njëjtin e godet me grusht në fytyrë, me ç’rast i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes në këmbë dhe i ndihmuar nga një person tjetër duke hipur në automjetin e tij është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime, i pandehuri Salih Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale vrasja në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28, paragrafi 1 dhe 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i pandehuri Gashi akuzohet se me datë, kohë dhe vend të njëjtë të përshkruar si në dispozitivinë e parë të aktakuzës, i njëjti në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi, kontroll ose posedim armën e zjarrit dhe atë pistoletë të tipit M-57.

Me këto veprime, i pandehuri Gashi akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.