03-05-2024

Prizren: Mungesa e lokacionit për stadium ndihmës rrezikon donacionin mbi 300 mijë euro

Zyrtarë të Ministisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës (MKRS), kanë thënë se komuna e Prizrenit deri tash nuk i është përgjigjur kërkesës së tyre për gjetjen e një lokacioni për ndërtimin e një stadiumi ndihmës të futbollit në Prizren, sipas standardeve të UEFA-së, në të cilin parashihet një investim prej mbi 300 mijë euro, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Këshilltari në MKRS-së, Samir Hoxha ka thënë se për dallim nga komunat tjera, Prizreni fare nuk ka kthyer përgjigje rreth përcaktimit të një lokacioni për ndërtimin e një stadiumi ndihmës, sipas standardeve të UEFA-s.

“Për këtë projekt kemi një donacion, ndërsa për realizimin në Prizren parashihet të investohen mbi 300 mijë euro, por deri tash nuk kemi marrë përgjigje nga komuna ”, ka thënë ai për portalin “GazetaePrizrenit.net”.

Në pyetjen konkrete për këtë çështje, të cilën përmes postës elektronike, ia kemi drejtuar Zyrës për informim në kuadër të Komunës së Prizrenit, kemi marrë këtë përgjigje: “Stadiumi ndihmës në fjalë po ndërtohet në lokacionin Boka, në Korishë. Stadiumi do të jetë me bari artificial, teshatore me standarde evropiane dhe me përmasa sipas standardeve të UEFA-së. Punimet për këtë projekt tashmë kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe shumë shpejt pritet të përfundojë i gjithë projekti”.

Rezultate imazhesh për stadiumi ndihmes i Prizrenit, ne Boka

Në njoftim, po ashtu thuhet se përveç kësaj, Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka paraparë që në këtë lokacion të ndërtohet edhe shtegu i atletikës. “DKRS nga buxheti i saj tre vjeçar, ka ndarë gjithsej 170 mijë euro për ndërtimin e këtij shtegut dhe të tribunave përreth. Ky shteg do të jetë me 6 korsi dhe do të ketë edhe pjesën përcjellëse sipas standardeve si: hedhja e diskut, kërcime së larti, kërcime së gjati, hedhja e shtizës etj. Komuna njëkohësisht është duke punuar për mundësinë e bashkëfinancimit edhe me Federatën Ndërkombëtare të Atletikës për këtë projekt”, thuhet në njoftimin e ZI-së në Prizren.

Por, këshilltari i MKRS-së, Hoxha, thotë se projekti tek projekti tek “Boka” është i mëhershëm dhe nuk bëhet fjalë për të, por për një lokacion tjetër të ri.

Përkundër që “GazetaePrizrenit.net” i është drejtuar sërish Zyrës për informim, nuk ka marrë ndonjë sqarim tjetër./GazetaePrizrenit.net/.

 

Asnjë koment

Comments are closed.