24-11-2024

Prizren: Mungon dëshmitari, dështon gjykimi për korrupsion ndaj ish-inspektorit

Ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor, i paraparë për të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e kësaj seance ka qenë mungesa dëshmitarit Asllan Shala, i cili sipas kryetarit të trupit gjykues, Artan Sejrani, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën e së hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Artan Sejrani, deklaroi se për mungesën e dëshmitarit, është informuar nga zyrtari policor, pasi ndaj tij kishte pasur një urdhëresë për sjellje me detyrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Seanca e radhës është caktuar më 8 prill 2020, në ora 13:15.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Nexhmedin Musliu, akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar të inspektorit të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qellim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, apo t’i shkaktojë dëm personit tjetër.

image0 (29)

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri në periudha të ndryshme kohore nga vitit 2013, e deri në 2017, në vazhdimësi vetëm formalisht si në aktvendimin e Inspektoratit të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, e pastaj edhe me procesverbale urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi, e pastaj me një procesverbal tjetër urdhëron pajisjen me leje ndërtimi të objektit, përkatësisht të sallonit të dasmave, afër pompës së benzinës “Arbëria”, në hyrje të autostradës në veri të Prizrenit, pronë kjo e investitorit Shemsedin Berisha.

Sipas aktakuzës, Musliu me procesverbal urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në kompleksin e ndërtimeve “Barut Hane” në Prizren, pronë e investitorit Tahir Krasniqi, ndërprerjen e punimeve ndërtimore në objektin hotelier “Crystal Palace”, ky afër fshatit Landovicë, pronë e investitorit Zait Kabashi, si dhe urdhëron ndërprerjen e punimeve pa leje ndërtimi në depon për prodhimin e peletit, afër rrethit të autostradës, në lagjen “Arban”, pronë e investitorit Asllan Shala.

Sipas aktakuzës, ai urdhëron ndërprerjen e punimeve, mirëpo nuk ndërmerr masa pasuese në frymën e këtyre akteve, gjegjësisht aktvendimeve për rrënime vullnetare dhe përfundimisht konkluzione për rrënim të detyrueshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ku njëherësh i shkakton dëm material edhe Komunës së Prizrenit.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, e paraparë në nenin 422 , paragrafi 1 e Kodit Penal të Kosovës.

Ndryshe, ish-inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Nexhmedin Musliu akuzohet edhe për disa  raste tjera për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.