03-05-2024

Prizren: Mungon e dëmtuara në rigjykimin për korrupsion, merret vendim të ftohet përsëri përmes MD-së

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim që e dëmtuara të ftohet përsëri përmes Ministrisë së Drejtësi. Kjo pasi e njëjta nuk ishte prezente në seancën e së martës, në rastin ku Flurim Gallopeni po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi konstatoi mungesën e të dëmtuarës Micaela Iuvale në seancë, duke shtuar se e njëjta nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt.

Sipas gjykatëses, nga njoftimi i bërë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë së shtetit të Italisë personi në fjalë Micaela Iuvale nuk ishte e njohur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Gallopeni ka kërkuar nga gjykata që t’i jepen në shikim shkresat lidhur me ftesën që i është bërë të dëmtuarës, për të parë nëse emri dhe mbiemri i saj ishin shënuar saktë. Pas kësaj, ajo tha se mbiemri i saj ishte shkruar gabim, ashtu që në vend të “Iuvale” ishte shënuar “Luvalle”.

Prokurori Metush Biraj dorëzoi në gjykatë kopjen e pasaportës së të dëmtuarës, në mënyrë që të vërtetohet emri i saktë i të dëmtuarës, e që ishte Micaela Iuvale. Ai kërkoi nga gjykata që të lëshohet edhe njëherë ftesë ndaj të dëmtuarës, përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Në këto rrethana, gjykatësja Elezi mori vendim që e dëmtuara të ftohet përsëri përmes ministrisë në fjalë.

Seanca e radhës u caktua për 28 dhjetor 2021, në 10:00.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të ngritur në shtator 2012, me të cilën Flurim Gallopeni akuzohet se duke qenë drejtor i fabrikës “Anthea”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i dëmtuar bashkë-investitorët italianë.

Ai akuzohet se nga shtatori 2011 e deri në janar 2012, ka larguar në mënyrë kundërligjore mallin, maska për karnavale, nga depo e fabrikës, duke u shkaktuar bashkë-investitorëve dëm në vlerë prej 14.319 euro.

Më 11 nëntor 2013, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor të akuzuarin Gallopeni dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, mirëpo më 21 nëntor 2014,  ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit me arsye se nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike.

Gjykata, pas rigjykimit të rastit, më 19 nëntor 2015, sërish e ka gjetur fajtor të akuzuarin Gallopeni, duke e dënuar me burgim me kusht prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari brenda dy vjetësh nuk do të kryente vepër të re penale.

Aktgjykimin e dytë e ka vërtetuar edhe Apeli, duke refuzuar si të pabazë kërkesën e mbrojtjes për prishjen e vendimit dhe kërkesën e organit të akuzës për rritjen e dënimit.

Por, duke u bazuar në ankesën e avokatit mbrojtës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme, më 22 gusht 2016, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të Apelit, duke urdhëruar që rasti të kthehet sërish në shkallë të parë për rigjykim.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata në rastin konkret është përballur më dy ekspertiza financiare të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën, pasi që njëra konstaton dëm dhe keqpërdorim të shumës prej mbi 14 mijë euro të të akuzuarit, ndërsa tjetra thotë se nuk ka fare dëm.

Andaj, Supremja ka rekomanduar që në rigjykim të bëhet një super-ekspertizë, e cila do të vendosë rreth kundërthënieve të dy ekspertizave të para dhe do të vërtetojë nëse ka apo nuk ka keqpërdorim të mjeteve materiale nga i akuzuari në fjalë.

Në shkurt 2017, gjykata e shkallës së parë ka parashtruar kërkesë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës për të kryer super-ekspertizën financiare, por ky institucion vetëm më 28 shtator 2017 ka kthyer përgjigje se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën.

Fakulteti Ekonomik ka kthyer lëndën duke shkruar se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën, sepse në lëndë nuk janë gjetur librat e kontabilitetit menaxherial dhe financiar.

Në seancën e 11 nëntorit 2017, trupi gjykues ka vendosur që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë financiarë që gjenden në listën e ekspertëve të gjykatës.

Pas pranimit të super-ekspertizës, më 1 mars 2018 ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ku i akuzuari ka dhënë mbrojtjen tij dhe janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Më 2 mars të vitit 2018, ai ishte shpallur sërish fajtor dhe ishte dënuar me një vit burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh, që të mos kryente vepra tjera penale, por që edhe për herë të tretë ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka rekomanduar që të bëhet dëgjimi dhe ballafaqimi i të dëmtuarës Micaela Iuvale me të akuzuarin Gallopeni. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.