23-11-2024

Prizren: Ndryshon trupi gjykues në rastin ndaj deputetes Vrenezi, ish-kryeinspektorit Thaqi, dhe të tjerëve

Për shkak të kalimit të gjykatëses Kymete Kicaj në Gjykatën e Apelit, lënda ndaj deputetes Jetmire Vrenezi dhe të tjerëve ka kaluar tek gjykatësja Teuta Krusha.

Në këtë rast, deputetja Jetmire Vrenezi, ish-drejtori i Inspektoratit, Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqit, Shqipron Krasniqit, Arian Tarakut dhe Isë Bislimajt, po ngarkohen për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Marcel Lekaj, bëri të ditur se më 1 tetor 2024, gjykatësja Teuta Krusha është caktuar kryetare e trupit gjykues në vend të Kymete Kicajt, ndërsa seanca e radhës ende nuk është caktuar.

Për shkak të ndërrimit të kryetares së trupit gjykues, Lekaj tha se ishte anuluar edhe seanca e caktuar për 11 shtator 2024.

Gjykata Themelore në Prizren, më 17 maj 2022, kishte dënuar  Vrenezin dhe Thaqin me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë, ndërsa Morina- Thaçi, Taraku, Bislimaj dhe Krasniqi ishin liruar nga akuza për korrupsion.

Mirëpo, Gjykata Apelit, më 23 dhjetor 2022, çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Prizren: Kuvendarët e opozitës kundërshtojnë që i përfoluri, Arben Shala, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash

 

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e anekesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.