05-10-2024

Prizren: Kuvendarët e opozitës kundërshtojnë që i përfoluri, Arben Shala, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash

Kuvendarja opozitare në Prizren, Dafina Alishani në emër të grupit të Vetëvendosjes reagoi fort ndaj propozimit të Drejtorisë së Arsimit, që Aben Shala, i përfolur në medie për dyshime në kurdisje të konkursit, të riciklohet në Komisionin për drejtor shkollash, duke thënë se ai është i varu nga pushteti

Propozimi për formimin e komisionit përzgjedhës për drejtorë shkollash të komunës, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal (KK), shkaktoi reagim tek kuvendarët opozitarë.

Në Komisionin e prezantuar para Asamblesë, kishte emra të mëparshëm, përfshirë edhe Arben Shalën, që pushteti i Shaqir Totajt, po mundohet ta kontrabandojë si “të pavarur”.

Kjo shkaktoi reagim nga kuvendarët Selman Sokoli e Dafina Alishani (VV), të cilët patën kritika, sidomos ndaj emrit të Shalës, duke kujtuar audio-incizimet për të dala në medie, me dyshime për kurdisje në konkurset e mëparshme.

“Mos na fyeni me këtë ekspert i pavarur. Hiqjani PA – dhe bëni Arben Shala ekspert i varur, është komplet i varur prej politikave tuaja, e keni njollos me pazaret e juaja”, iu drejtua Alishani drejtuesve të pushtetit lokal, në sallën e KK-së.

Në një audio-incizim të publikuar kohë më parë, nga Gazeta Insajderi, Arben Shala dëgjohej derisa fliste për rastin e përzgjedhjes së drejtoreshës së gjimnazit “Gjon Buzuku”, e ku përmendeshin edhe trikat gjatë përzgjedhjes.

Alishani tha se opozita nuk i ka harruar manipulimet e bëra dhe assesi nuk i do këta njerëz, që kanë bërë marrëveshje me pushtetin, derisa e lëshoi audio-incizimin e Shalës, por iu ndal mikrofoni nga Kryesuesja e KK-së.

Opozita në Prizren e ka kritikuar pushtetin e Totajt, se e ka kundërshpërblyer Arben Shalën për “shërbimin” ndaj pushtetit, duke ia dhënë 39 mijë euro, në dy pjesë.

Herën e parë Shalës i janë ndarë në formë suvjencioni 14 mijë euro në emër të shoqatës Plan, të cilën sapo e kishte regjistruar. LDK ndërkaq pati reaguar se Komuna e Prizrenit ia dha tenderin afro 25.000 eurosh, operatorit anonim “Consulting and Menagement Group”, për projektin “Hartimi i planit për zhvillimin e arsimit në Komunën e Prizrenit”, ku figuronte numri i telefonit të Arben Shalës.

Alishani ndërkaq ka akuzuar pushtetin e Totajt se e kapluar frika në vitin e fundit të qeverisjes, ndonëse është dëshmuar “pazarxhi i mirë që po di të blejë asamblistë kundrejt punësimeve”. /Gazeta e Prizrenit.

Audio-incizimi i publikuar nga Gazeta Insajderi

Asnjë koment

Comments are closed.