03-10-2024

Prizren: Qeverisja e Totajt jep tender afro 25.000 euro për Arsim, reagon dega e LDK-së – kërkon hetime

Dega e LDK-së në Prizren, shpreh shqetësimin e radhës për mënyrën e shpenzimit të parasë së qytetarëve të Komunës së Prizrenit nga ana e qeverisjes komunale të Shaqir Totajt. Shpërblimi i individëve të caktuar, për shërbimet e kryera në procesin tashmë të kompremetuar të përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, nëpërmjet favorizimeve e “taktikave”, në dëm të institucioneve arsimore në komunën tonë, tashmë është bërë praktikë e këtij pushtetit abuzues.

Komunikata e plotë:

Komuna e Prizrenit këto ditë ka shpallur fitues të tenderit në vlerë prej afro 25.000 euro, operatorin “Consulting and Menagement Group”, për projektin “Hartimi i planit për zhvillimin e arsimit në Komunën e Prizrenit”. Përveçse nuk ka të dhëna të detajshme për këtë operator, në kontratën e lidhur me Komunën e Prizrenit, identifikohet vetëm përmes adresës postare dhe një numri të telefonit, që “rastësisht” rezulton të jetë i njërit nga anëtarët e komisionit për zgjedhjen e drejtorëve të shkollave.

Vlera e parashikuar e kontratës është shuma prej 25.000 euro, ndërsa në këtë proces kishte vetëm dy ofertues, me të njëjtën vlerë 24.950 euro, duke lënë hapësirë të mjaftueshme për dyshime të këtij procesi të prokurimit.
LDK rikujton se opinioni e ka të freskët skandalin e publikuar në media vitin e kaluar, të një audio-incizimi, ku i njejti person që tashmë figuron të jetë shpallur fitues, dikur tregonte se si ishte marrë vesh me kryetarin Totaj dhe PDK-në për përzgjedhjen e drejtoreshës së gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, ndërsa flitej edhe për aplikimin e “taktikave” gjatë atij procesi.

Po ashtu Komuna e Prizrenit, vitin e kaluar në formë të subvencioneve, ia kishte ndarë rreth 14 mijë euro, organizatës joqeveritare “Plan”, udhëheqës i të cilës përsëri “rastësisht” qëllon të jetë i njejti emër që sot e përfaqëson operatorin “Consulting and Menagement Group”.
Kjo OJQ e regjistruar për përkrahjen e bizneseve kishe përfituar mjete “Për dinamizmin e jetës kulturore” në Prizren, dhe ishte ndër përfituesit më të mëdhenj të subvencioneve nga Komuna për vitin 2022, edhe pse kishte vetëm pak muaj nga themelimi.

LDK në Prizren konsideron, se një qasje e tillë e z.Totaj duke “shpërblyer” individë të caktuar është e papranueshme dhe e dënusheme.

Sikur edhe herët tjera edhe në këtë rast, LDK kërkon nga organet përkatëse ta hetojnë mënyrën e shpenzimit të parasë publike në Komunën e Prizrenit!

LDK për qytetarët dhe me qytetarët!

Mund të jetë një imazh i amë e biletës dhe teksti

Mund të jetë një imazh i teksti

Asnjë koment

Comments are closed.