Prizren: Në cilësinë e dëshmitarit, flet koordinatori i inspektorëve, në rastin ku ish-inspektori i ndërtimit po gjykohet për korrupsion
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-inspektorit të ndërtimit në Prizren, Nexhmedin Musliu, i cili po akuzohet për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Seanca e sotme, vazhdoi me procedurën e provave, ku në cilësinë e dëshmitarit u dëgjua koordinatori i inspektorëve në drejtorinë e inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Fail Hoxha.
Në pyetjet e prokurores Ervehe Gashi, se gjatë vitit 2016 – 2017, cili nga inspektorët e ndërtimit e ka pasur në përgjegjësi zonën e Qylhanit, rrugën “Kadri Zeka”, “Edit Durham” dhe rrugën e “Muhagjerëve”.
Dëshmitari Hoxha u deklarua se këtë zonë e ka pasur në mbikëqyrje ish-inspektori, tani i akuzuari Nexhmedin Musliu.
“Këtë zonë e ka pasur kolegu Nexhmedin Musliu”, ka deklaruar dëshmitari Hoxha.
Pas kësaj, në pyetjet e mbrojtësit të akuzuarit Musliu, avokatit Gent Gjini se në rastin konkret, i akuzuari Musliu a ka pasur koordinator.
Dëshmitari u deklarua se jo, nuk ka pasur.
Ndërsa në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Luan Berisha, se konkluzionin e përpiluar nga ana e inspektorit për rrënim, kujt i parashtron.
Dëshmitari konstatoi se inspektori e përpilpn konkluzionin, e njofton koordinatorin si dhe drejtorin.
Në fund, dëshmitari tha se për mos rrënimin e mbindërtimit pa leje, ka qenë kompetencë e vet inspektorit, tani të akuzuarit Musliu.
Në këto rrethana, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha njoftoi se Seanca e sotme ndërpritet, e njëjta u caktua për 23 prill 2021, në ora 10:00.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se prej 7 nëntorit 2014 e deri më 18 maj 2016, në cilësinë e personit zyrtar dhe atë si inspektor i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër, nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit” në Prizren, por i njëjti nuk ndërmerr veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me ligjin për ndërtim, planin zhvillimor urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.
Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.
I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjell përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan” të Prizrenit.
Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi