22-11-2024

Prizren: Në përzgjedhjen e drejtorëve, do të ndihmojë edhe Ambasada angleze

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka thyer heshtjen, pas anulimit të konkursit për drejtorë, të cilin e ka bërë dy javë më parë. Në një deklarim në profilin e tij të facebookut, ku edhe pat njoftuar për anulimin e konkursit, ai ka premtuar  se do të ketë masa shtesë në përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave.

Në këtë kontekst ka paralajmëruar shtimin e monitoruesve të pavarur dhe kredibil nga shoqëria civile, e që Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar do të ofrojë asistencë në këtë drejtim.

Ndër tjera, Haskuka ka deklaruar se gjatë procesit, në raste ka pasur shkelje procedurale, interferenca nga palë të ndryshme, qoftë edhe nga vetë kandidatët si dhe keqkuptim të rolit të organizatave pjesëmarrëse në proces.

“Në disa raste ka pasur ankesa, me ç’rast kandidatët janë dekurajuar për të aplikuar, duke u thënë se tanimë vendimet për drejtorë janë marrë dhe se e tërë procedura është simbolike. Të gjitha këto e kanë dëmtuar besimin në procesin e përzgjedhjes”, ka shkruar ai.

Ja edhe disa pjesë nga postimi i tij:

“Ndonëse muajt e fundit, me drejtorin e arsimit, z. Skender Susuri, kemi krijuar mekanizma të rinj që procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të jetë i drejtë, objektiv dhe cilësor, procesi megjithatë ka rezultuar me shumë ankesa dhe mosbesim.

Urdhëruesi i përpiluar, që përcakton mënyrën e vlerësimit të kandidatëve për drejtorë të shkollave dhe hapja e procesit ndaj monitoruesve nga shoqëria civile, sindikata e arsimit, këshilli i prindërve dhe nga përfaqësues të medieve, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të pasur kredibilitet. Kthimi i besimit në sistemin arsimor është tepër i rëndësishëm, ngase prej edukimit të dobët do të vazhdojnë të vuajnë fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme.

Përzgjedhja e drejtë e drejtorëve është hapi i parë në këtë drejtim, andaj në bashkëveprim me drejtorin e arsimit, pos aplikimit të rregullores për përzgjedhjen e drejtorëve, kemi vendosur t’i ndërmarrim masat shtesë për sigurimin e këtij procesi.

“Sigurimi i imunitetit për komisionin vlerësues në mënyrë që anëtarët e komisionit të vlerësojnë pa ndikime nga jashtë. Interferimet në proces janë të kundërligjshme dhe do të sanksionohen”.

Definimi i saktë i rolit të organizatave monitoruese. Në proces janë të kyçur organizatat joqeveritare, sindikata e arsimit dhe përfaqësuesit e medieve në cilësinë e monitorimit të procesit dhe nga ta pritet ta respektojnë rolin e tyre të kufizuar sipas rregullores.

Të gjithë pjesëmarrësit në proces duhet t’i përmbahen kodit etik të komunikimit. Për vlerësuesit dhe monitoruesit kjo nënkupton se vërejtjet dhe vlerësimet e tyre duhet të kufizohen në komunikimin zyrtar, pa cenuar konfidencialitetet. Gjithashtu, kjo vlen edhe për kandidatët para dhe gjatë procesit”.

Pos organizatave monitoruese, zyra e kryetarit do të ketë një monitorues i cili enkas do të raportojë në baza ditore për mbarëvajtjen e procesit. Komuna e Prizrenit me vite ka vuajtur nga deformimet e shkaktuara nga politizimi i sistemit arsimor, andaj angazhimi dhe përpjekja e shtuar për përmirësimin e cilësisë së arsimit në Komunë është një prej detyrave kryesore të administratës sonë”.

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.