Prizren: Në rigjykimin e dytë, lirohet nga akuza ish-drejtori i Administratës në Prizren
Ndryshe, Baldedaj nga ish- gjykatësi Xheladin Osmani, për herën e dytë ishte dënuar më 2 gusht 2022 me 10 muaj burgim efektiv dhe si dënim plotësues, ndalim i ushtrimit të funksioneve publike në administrate ose shërbime publike në afat prej 2 vite. Edhe herën e parë, ai ishte dënuar me dhjetë muaj burgim efektiv më 15 janar 2021, mirëpo, Gjykata e Apelit dy herë e ka kthyer rastin në rigjykim.
Shpallja e aktgjykimit, u bë të martën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Raima Elezi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja Elezi, tha se për të akuzuarin Baldedaj merr aktgjykim lirues për veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar në mungesë të provave.
Sipas aktgjykimit, pala e dëmtuar, Komuna e Prizrenit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.
Elezi tha se shpenzimet e procedurës penale bien në barrë të mjeteve buxhetore të kësaj gjykate.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 21 gusht 2019, i pandehuri Ilir Baldedaj, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Baldedaj, akuzohej se më 13 maj 2018 e deri më 22 maj 2018, në cilësinë e personit zyrtar si drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka bërë shpërndarjen e pasurisë jofinanciare, laptopë dhe çanta të tyre, për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 sosh dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik.
Sipas aktakuzës, i akuzuari Baldedaj ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë si dhe Rregulloren e Ministrisë së Financave, nr.02/2013 për menaxhimin e pasurisë jofinanciare në organizata buxhetore.
Në aktakuzë thuhet se për tre laptopë të tjerë nuk ka prova se ata u janë shpërndarë personave për të cilët kanë qenë të destinuar, me ç’rast thuhet se me këto veprime i akuzuari, buxhetit të shtetit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 19 mijë e 350 euro. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.