18-04-2024

Prizren: Ngacmohet punëtorja e një biznesi, e denoncon klientin në Polici

Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Raste të tilla ndodhin edhe në hapësira publike, lokale, vende të ndryshme të punës, çka po ngrit shqetësim se siguria po cenohet, raporton Gazeta Sinjali.

Për një rast të tillë që ka ndodhur në rrugën “Jusuf Gërvalla” në Prizren, Policia Rajonale atje ka arrestuar një person, i cili u denoncua nga një grua për ngacmim. Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se viktima kësaj radhe është një punëtore e një biznesi, e cila ka raportuar se i dyshuari e kishte shqetësuar duke i shkuar në vendin e saj të punës.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari B.H., i ka shkuar disa herë te puna viktimës, duke porositur gjësende të ndryshme, vetëm që të ketë kontakt me të. Këto raste i njëjti i ka shpeshtuar, deri gjatë ditës së djeshme kur ai filloi ta ngacmojë, situatë kjo që i shkaktoi shqetësim gruas, e cila e njoftoi Policinë.

Si rezultat i denoncimit të rastit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe më pas është dërguar në Qendrën e Mbajtjes pasi ndaj tij Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Ngacmimi”.

Asnjë koment

Comments are closed.