27-11-2024

Prizren: Ngritet aktakuzë ndaj kunatës për vrasjen në Kuk të Dragashit

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, të enjten, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarës Nazire Abdyli, për vrasjen e kunatës së saj, tani të ndjerën Saime Domazeti në fshatin Kuk, Komuna e Dragashit.

Sipas dokumentit të qasjes në aktakuzë nga publiku, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Prokuroria të akuzuarën Nazire Abdyli po e ngarkon me veprën panale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 i Kodit Penal.

Nazire Abdyli, po akuzohet se më 23 dhjetor 2022, me dashje ka privuar nga jeta anëtaren e familjes- motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës Saime Domazeti, e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të akuzuarës Nazire Abdyli.

Sipas aktakuzës, e akuzuara Abdyli, me një dru të ahut në gjatësi prej 25 cm dhe trashësi 4×2.5 cm, me një pjesë të laminatit, me ngjyrë të bardhë, me gjatësi prej 87 cm dhe trashësi 4×1.2 cm dhe një copë dërrase të llamperisë në gjatësi prej 78 cm dhe trashësi prej 1.2×10 cm, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundit në pjesën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar gjakderdhje në tru dhe si pasojë e këtij lëndimi më 26 dhjetor 2022, vdes viktima Domazeti.

Për këto veprime, Abdyli po akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 të KRPK-së.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 29 dhjetor 2022, ndaj të dyshuarës N.A. ka caktuar masën e paraburgimit, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Po e kam rreh vallahin, e kam rreh, mas 3-4 dite ka vdekë. Po i dhashë ndihmë sa munda, po qaq munda, motër të burrit e kam pas, që 26 vjet u kanë në shpi teme, e kam ruajt, jam kujdes”, kishte thënë ajo.

E dyshuara N.A ishte arrestuar më 27 dhjetor 2022 dhe në prani të mbrojtësit të saj kishte pranuar se ka kryer vrasjen e tani të ndjerës S.D.

Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti fillimisht ishte hapur si vdekje e dyshimtë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.