Prizren: Ngritet memoriali kushtuar Ekrem Rexhës-komandant “Drinit” (FOTO)

Në Prizren, sot në mesditë u bë përurimi i Memorialit kushtuar komandantit të UÇK-së nga Prizreni, Ekrem Rexhës i njohur me nofkën “Drini”, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Komandanti nga Prizreni, të cilin qytetarët e kanë pagëzuar si clirimitari i Prizrenit, ndonëse tash në vepër artistike sot solli emocione, si shumë herë më parë, kur kujtohet emri dhe veprimtaria e tij.

Pos zyrtarëve komunal dhe të institucioneve të tjera, në ceremoninë e përurimit morën pjesë edhe pjesëtarë të FSK-së, Policisë,  bashkëluftëtarë të Drinit dhe qytetarë.

Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ndër tjera ka thënë se komandant “Drini” ka bërë shumë për qytetin e tij dhe çlirimin e vendit. “Sot Prizreni po i jep mirënjohjen e merituar. Ai ishte simbol i luftës së UCK-së. Ai është frymëzim për gjeneratat e reja para dhe pas luftës”.

Realizimi i këtij projekti që zgjati 4 muaj ka kushtuar rreth 150 mijë euro, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Në ceremoninë e zbulimit mori pjesë edhe nëna e “Drinit” e cila nga karroca lëshonte lot, derisa  qëndronte para të birit të përjetësuar në vepër artistike, ndërkohë që në prapavijë dëgjohej himni kombëtar.

Djali i Ekremit, që mban nofkën e luftës Drini, para të pranishmëve, tha se për nderimet që iu bënë babait të tij ndjehet tejet i lumtur.

Ekrem Rexha, ish-komandant  i  Zonës Operative të Pashtrikut u vra në rrethana misterioze para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane”,  në mëngjesin e 8 majit 2000. Për veprimtarinë e tij, nga Presidenti i Kosovës është dekoruar “Hero i Kosovës”.

Hapësira e paraparë  prej 1. 400m² për vendosjen e Memorialit gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës të njohur si “Shtëpia e Bardhë.

Portali “Gazeta e Prizrenit”, disa herë ka ngritur çështjen e një ngritjes së një monumenti kushtuar komandant “Drinit”. /GazetaePrizrenit.net/

P. S Disa nga fotot janë huazuar
nga Komuna e Prizrenit