Prizren: Një 31 vjeçar tenton të vetëvritet, dërgohet me urgjencë në spital
Traumat që vijnë nga mjedisi familjar dhe social, kushtet e jetesës, kushtet ekonomike dhe depresioni shpesh vlerësohen si shkaqe që çojnë në vetëvrasje dhe tentativa për të kryer këtë akt. Familjet janë ato që këto raste i përjetojnë jashtëzakonisht rëndë dhe janë me fat kur arrijnë të shpëtojnë familjarët e tyre, transmeton Kosova.info.
Një gjë e tillë ka ndodhur sot në një familje në fshatin Skorobishtë të Prizrenit, ku një 31-vjeçar ka tentuar të vetëvritet, duke marrë një sasi të madhe barnash, me ç’rast gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar.
Kështu bëjnë të ditur burime nga Emergjenca, përkatësisht kanë raportuar se viktima është sjellë në këtë qendër nga familjarët dhe se tashmë i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.
Për këtë rast zyrtarët e spitalit kanë njoftuar policinë dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë një njësi policore për të marrë informacionet e para se si ka ndodhur ngjarja.
Me urdhër të prokurorit të shtetit rasti është hapur si “Tentativë për vetëvrasje” dhe ka nisur hetimi për zbardhjen e motivit dhe rrethanave të rastit.
Lexo edhe: