23-11-2024

Prizren: Opozitarët kërkojnë krijimin e fondit lokal për mbështetjen e qytetarëve dhe të bizneseve

Mbështetja për familjet në gjendje të vështirë ekonomike, lehtësime për bizneset, dezinfektimi i lagjeve dhe zonave rurale, kanë qenë disa nga kërkesat që janë adresuar të premten nga këshilltarët opozitarë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prizrenit.

Ata kanë shprehur qëndrimin se në situatën me pandeminë COVID-19 nevojitet unitet politik me qëllim që të zbuten pasojat e rënda për qytetarët në nevojë. Në rendin e ditës së kësaj seance janë diskutuar dy pika; informimi për situatën me pandeminë COVID19, si dhe propozimi për bartjen e mjeteve të pashpenzuara nga të hyrat vetjake të vitit 2018 dhe 2019, në vitin 2020.

Fillimisht kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka njoftuar anëtarët e KK-së për veprimet që janë ndërmarrë në nivel lokal për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe aktivitetet e tjera për lehtësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve.

Në këtë pikë këshilltari i AAK-së, Ilir Baldedaj, ka deklaruar se këtë vit mund të ketë projekte që s’mund të realizohen shkaku i pandemisë aktuale, prandaj ka propozuar që në vend se mjetet buxhetore të shkojnë në suficit, ato të përdoren në dobi të qytetarëve dhe të bizneseve.

“Është mirë që ato mjete të barten në një fond të veçantë dhe t’i mbështesim familjet në nevojë, bizneset dhe të tjerët”, ka thënë Baldedaj.

Ndërsa anëtari i PDK-së, Shkodran Kryeziu, ka propozuar që bizneset që shfrytëzojnë pronat komunale të lirohen për 3 muaj nga pagesa e qirasë. Ai ka kërkuar edhe dezinfektimin e hapësirave publike.

“Kam kërkuar dezinfektimin e hapësirave publike. Në qytet janë bërë në disa pjesë, por ka nevojë edhe në fshatrat e Prizrenit dhe lagjet e tjera”, ka deklaruar ai.

Për dallim prej tyre, Shukri Quni, nga radhët e Nismës, është shprehur kritik për qasjen e pushtetit në raport me shndërrimin e pushimores në fshatin Nashec, në vendkarantinë, përkatësisht për mosnjoftimin e banorëve dhe përfaqësuesve të fshatit./koha.net

Asnjë koment

Comments are closed.