Prizren: Orët e humbura nuk kompensohen pas anulimit të konkursit për mësimdhënës
Këshilltarët e partive opozitare në Kuvendin e Komunës së Prizrenit kanë kërkuar llogaridhënie nga ekzekutivi lokal lidhur me anulimin e konkurseve për punësimin e dhjetëra mësimdhënësve si dhe përgjegjësi për orët e humbura mësimore.
Sipas opozitarëve, mosangazhimi i mësimdhënësve në vitin e ri shkollor si rezultat i anulimit të këtij konkursit ka bërë që nxënësit të kenë mijëra orë të humbura mësimore. Po ashtu kanë theksuar se organet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime të duhura se si do të kapërcehen problemet në këtë drejtim, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërsa lidershipi komunal ka përsëritur qëndrimin se konkurset janë shpallur në mënyrë të kundërligjshme dhe se anulimi i tyre ka qenë i domosdoshëm. Ekzekutivi lokal ka arsyetuar se në ndërkohë ka ndryshuar legjislacioni, prandaj dhe është në pritje të nxjerrjes së udhëzimeve administrative përkatëse nga niveli qendror.
Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së në KK-në e Prizrenit, Simir Krasniqi, ka kërkuar shpjegime se çfarë po ndodh me anulimin e konkurseve për punësimin e mbi 70 mësimdhënësve në shkollat e kësaj komune.