26-11-2024

Prizren: Paraburgim ndaj pesë kamarierëve për falsifikim të parasë

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ua ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të dyshuarve T.P, V.Z, L.E, A.P dhe B.B, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale të “Falsifikimit të parasë”.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga Gjykata Themelore në Prizren, ku thuhet se vendimi u mor nga gjyqtari i procedurës, Skender Çoçaj.

Në njoftim bëhet e ditur se të njëjtëve do t’iu llogaritet paraburgimi prej kohës së arrestimit 2 nëntor 2021 dhe mund të zgjasë deri më 2 dhjetor 2021.

“B.B., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 296 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës ës Kosovës. T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të falsifikimit të parasë nga neni 296 par. 2 lodhur me par. 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas gjykatës, me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve, ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Sipas prokurorisë, i pandehuri B.B., gjatë muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në kohë të pavërtetuar në Prizren është vërtetuar se i njëjti me dashje posedon para të falsifikuara  me qëllim të vënies në qarkullim të tyre si të vërteta, në atë mënyrë që përgjatë periudhës së lartpërmendur i shet të pandehurit T.P, 1 mijë e 250 euro, të gjitha në monedha metalike nga 2 euro, me qëllim që ky i fundit t’i vë të njëjtat në qarkullim si të vërteta.

Tutje thuhet se i pandehuri T.P pajtohet që t’i blejë të njëjtat për shumën e parave prej 900 euro, duke i paguar në mënyra periodike, ashtu që herën e parë për 300 euro falso paguan 200 euro origjinale, ndërsa herën e dytë për 400 euro falso paguan 300 euro origjinale, derisa në herën e tretë për 550 euro falso, paguan 400 euro origjinal, ashtu që në total i pandehuri B.B., arrin t’i shes 1 mijë e 250 euro falso.

Ndërsa, të pandehurit: T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., thuhet se gjatë periudhës së muajit tetor deri në fillim të muajit nëntor të vitit 2021, në intervale të ndryshme kohore, me dashje dhe në bashkëkryerje është vërtetuar se kanë vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta, në atë mënyrë që në cilësinë e punëtorëve si kamarierë në njërin prej lokaleve të gastronomisë në Prizren, paratë e falsifikuara të cilat i pandehuri T.P., i kishte siguruar nga i pandehuri B.B., në intervale të ndryshme kohore, i pandehuri T.P.,  ia dorëzon kolegëve të tij, këtu të pandehurve: V.Z.,  L.E.,  dhe A.P., me qëllim që të njëjtit t’i vënë në qarkullim paratë e falsifikuara si të vërteta.

Po ashtu, thuhet se në mënyra periodike marrin nga 100 euro të falsifikuara, të gjitha në monedha metalike nga 2 euro dhe të njëjtat i vënë në qarkullim si të vërteta në drejtim të klientëve të ndryshëm.

Në këtë mënyrë, të pandehurit T.P., V.Z., L.E., dhe A.P., në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë” nga neni 296, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, në njoftim thuhet se me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh peshën e veprës penale e cila është e natyrës së rëndë, dënimit i cili parashikohet për këtë vepër penale, të pandehurit mund të ikin apo të fshihen në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes penale me qëllim të t’i shmangen përgjegjësisë penale, me ç ‘rast do të pengonin zhvillimin e suksesshëm dhe përfundimin e kësaj procedure penale

“Caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura është më i domosdoshëm dhe i shërben efikasitetit të procedurës penale si dhe parandalimit të përsëritjes së ndonjë vepre tjetër penale apo edhe ikjes ose fshehjes së të pandehurve dhe zhvillimin normal të hetimeve”, thuhet në njoftim.

Pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, dhe se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.