Prizren: Paraburgim të dyshuarës për grabitje dhe posedim të narkotikëve
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës S.Q., nga Prizreni, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “grabitje dhe “posedim i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”.
Gjyqtari i procedurës paraprake DKR – Artan Sejrani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurës e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurës do t’i llogaritet prej datës 16.11.2020 deri me datën 16.12.2020.
Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se e pandehura ka kryer veprën penale për të cilën dyshohen nga ana e Prokurorisë së Shtetit, po ashtu janë përmbushur kushte për caktimin e paraburgimit të përcaktuar me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh peshën e veprave penale dhe dënimit i cili parashikohet për këto vepra penale, e pandehura mund të ik apo fshehët në ndonjë vend të panjohur për organet e ndjekjes.
Gjithashtu, Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka marrë parasysh, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale, si dhe duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të të pandehurës e cila është e evidentuar si kryerëse e shumëfishtë e veprave penale të kësaj natyre që kanë për qëllim përfitimin e dobisë pasurore, e këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse e pandehura lihet në liri do të përsërisë ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre dhe të shkaktoj pasoja edhe më të rënda.
Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit është i bazuar në ligj dhe i arsyeshëm dhe se do të siguroi zhvillimin e papenguar të rrjedhës së procedurës hetimore dhe sigurimin e prezencës së të pandehurës.
Gjykata Themelore në Prizren ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurës në procedurë penale, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret caktimi i paraburgimit është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm për sigurimin e të pandehurës në procedurën penale, parandalimin e dëmtimit të provave dhe përsëritjes edhe të veprave tjera penale të kësaj natyre.
Gjykata bën të ditur se kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, përmes Gjykatës Themelore në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.