20-04-2024

Prizren: Paraqet mbrojtjen njëri nga tre të akuzuarit për dhënien e banesave pa kriter për shoqatat e luftës

Në Gjykatën Themelore në Prizren e ka paraqitur mbrojtjen e tij, ish-kryetari i komisionit për dhënien e banesave për shoqatat e dala nga lufta Reshat Mehmeti, i cili akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Bashkë me Mehmetin, për keqpërdorim pozite po akuzohet edhe dy anëtarë të këtij komisioni Fidan Shala dhe Arben Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata akuzohen se si anëtarë të komisionit në Komunën e Prizrenit, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin e tyre, kështu duke i privuar nga kjo e drejtë familjet skamnore, të cilat sipas akuzës, i kanë plotësuar këto kritere.

Në seancën e të mërkurës, i akuzuari Reshat Mehmeti, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të tij, avokatit Esat Gutaj, tha se komisioni ka vepruar në bazë të vendimit të Asamblesë Komunale në Prizren, ku sipas tij, në atë vendim thuhet se të gjitha familjeve të dëshmorëve pa përjashtim të iu ndahet nga një banesë.

Lexo edhe:

Pengmarrja e banorëve të Kushninit e Kabashit, plaçkitjet e shtëpive dhe djegia e tyre nga ushtria (2)

Po ashtu ai tha se komisioni për ndarjen e banesave për shoqatat e dala nga lufta është formuar me vendim të Asamblesë Komunale.

“Komisioni është formuar prej Asamblesë, një anëtar nga Drejtoria për punë dhe mirëqene sociale ku jam caktuar unë, nga Drejtoria e urbanizmit ka qenë Ylber Gashi, nga drejtoria e Financave ka qenë Bashkim Lubofci si dhe Fidan Shala e Arben Rexhepi nga shoqata e familjeve të dëshmorëve, mua kryetarë të komisionit më kanë zgjedhur anëtarët pasi që kam qenë më i vjetër dhe  më me përvojë”, tha i akuzuari Mehmeti.

Sipas tij, të gjithë anëtarët e komisionit po ashtu edhe kryetari kanë pasur kompetenca të barabarta dhe deri te marrja e vendimit përfundimtar të gjithë kanë votuar bashkërisht.

Ai tha se asnjëherë nuk kishte pasur ankesa as nga aplikuesit apo organet komunale për mënyrën e shpërndarjes së banesave.

“Konkursi ka qenë i shpallur publikisht, ka zgjatur 30 ditë dhe ka qenë i shpallur në tri gazeta ditore, ne kemi vepruar në bazë të Ligjit për banimin social me udhëzimet administrative të vitit 2010, që e rregullojnë çështjen e banimit si dhe vendimit të asamblesë, pas përpilimit të listë i kemi njoftuar organet ekzekutive, kanë pas afatë që të ankohen edhe aplikuesit, po nuk ka ba ankes askush dhe as organet komunale”, tha i akuzuari.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Metush Biraj, se si komision për ndarjen e banesave a ka qenë detyrë vetëm shqyrtimi i aplikimeve apo edhe dalja në teren për verifikimin mbi kushtet e banimit, i akuzuari Mehmeti, deklaroi se kishin për detyrë edhe daljen në teren.

“Po kemi pas si kriter edhe daljen në teren për verifikimin e kushteve të banimit, por për shkak të kohës edhe numrit të madh të kërkesave edhe për shkak se Kuvendi i Komunës ka pasur një referent për familjet e dëshmorëve, i cili është përkujdes për ato familje edhe për nevojat e tyre dhe e ka ditur se çka kanë e çka jo, nuk kemi dal në teren, ndërsa familjet tjera aplikuesit tjerë janë verifikuar edhe në teren”, tha i akuzuari Mehmeti, i cili shtoi se një gjë të tillë nuk e kishin bërë edhe me arsyetimin që familjeve të dëshmorëve të mos iu trazojnë dhimbjet për humbjen e më të dashurve të tyre.

Reshat Mehmeti etj.

Tutje i akuzuari tha se komisioni nuk kishte deleguar kompetencat shoqatës së familjeve të dëshmorëve, por ata kishin kërkuar nga kjo shoqatë që të iu dërgohet lista sipas prioriteteve për familjet e dëshmorëve që do të fitonin banesat në këtë rast dhe listën tjetër për ata që do mbeteshin për herën tjetër, sepse sipas tij, kjo shoqatë e dinte se kush ka më shumë nevojë për banesë.

Po ashtu ai tha se në rastin e parë janë ndarë 82 banesa për familjet e dëshmorëve, ndërsa pjesa tjetër e familjeve të dëshmorëve që kishin mbetur pa banesa, në vitin 2017, iu janë ndar 90 banesa.

Ndërsa në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Ajser Skenderi, se kush ka pasur të drejtë të aplikoi për banesë familjet e dëshmorëve apo edhe familjet skamnore, i akuzuari Mehmeti, deklaroi se konkursi ka qenë i hapur ekskluzivisht për familjet e dëshmorëve por të drejtë aplikimi kanë pasur edhe familjet skamnore.

Pas kësaj seanca është ndërprerë pasi që mbrojtësi i të akuzuarit Fidan Shala, avokati Besim Koqinaj, ka njoftuar trupin gjykues se nuk mund të vazhdon të merrë pjesë në seancë pasi që kishte një rast vdekjeje në familje.

Trupi gjykues ka ndërprerë seancën e së mërkurës ndërsa, seancën e radhës e ka caktuar me19 prill 2021 me fillim në ora 10:00

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit të ngritur më 08 mars 2019, të akuzuarit Mehmeti, Shala dhe Rexhepi, ngarkohen se gjatë vitit 2013, nuk i përmbushin detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë për personin tjetër, apo që t’i shkaktojnë dëm personit tjetër.

Organi i akuzës, ata i ngarkon se duke qenë pjesë e komisionit për vërtetimin e kushteve të banimit dhe përcaktimin e përfituesve të të drejtës së shfrytëzimit të banimit, të njëjtit nuk i përmbushin detyrat e tyre dhe me këtë rast, sipas akuzës, i kanë dhënë mundësi Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqatës së Invalidëve të UÇK-së, që të përpilojnë lista dhe në bazë të tyre, tu jepet e drejta e përfitimit të shfrytëzimit të banesave pa e bërë fare verifikimin sipas udhëzimit administrativ nr 21/2010, për përcaktimin e radhës së përparsisë për kategorit e familjeve që mundë të përfitojnë nga programet e veçanta të banimit.

Në aktakuzë thuhet se me këtë rastë aplikuesit nga radha e familjeve të dëshmorëve kanë përfituar 82 banesa, aplikuesit nga familjet e luftës së UÇK-së, kanë përfituar 5 banesa, familjet e veteranëve të luftës 2 banesa ndërsa nga radhët e familjeve skamnore përfitojnë vetëm 3 banesa.

Për ndërtimin e këtyre banesave kishte marr vendim Komuna e Prizrenit, e cila edhe i kishte caktuar anëtarët e komisionit.

Me këtë, sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, par 1, e lidhur me nenin G31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.