Komuna e Prizrenit ka kërkuar nga partitë politike lirimin e objekteve, të cilat i shfrytëzojnë për zyra, e që janë në pronësi komunale.
Këtë e kanë konfirmuar për portalin “GazetaePrizrenit.net” përfaqësues të PDK-së, AAK-së dhe Nismës në Prizren.
Mbështetur në shënime, del se Komuna e Prizrenit kishte lëshuar tetë lokale me qira simbolike, me vlerë prej 1 euro në muaj për disa parti politike.
Në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit, thuhej se në vitin 2016 ishin bërë kontrata për shfrytëzimin e pronës komunale me çmim prej 1€ në muaj për 8 lokale disa partive politike, duke mos organizuar ankande publike siç kërkohet me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme komunale.
Këto lokale ishin dhënë bazuar në vendimin e Asamblesë komunale, të nxjerrë në vitin 2005.
“Gazeta e Prizrenit” ka mësuar se pas kërkesës së Komunës, janë takuar drejtues të partive politike të Prizrenit, të cilët janë pajtuar për mbajtjen e një takimi me kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka me qëllim të gjetjes së zgjidhjes. Po ashtu, në këtë kontekst shihet edhe mbajtja e një seance të posaçme të Kuvendit Komunal. /GazetaePrizrenit.net/