26-04-2024

Prizren: Pas punimeve, rruga “Faredin Hoti” mbetet në gjendje të mjerueshme

Ka më shumë se një vit, kur kanë nisur punime në rrugën “Faredin Hoti” në Prizren, që ndodhet në lagjen “11 Marsi”, por sipas banorëve edhe pse punimet janë kryer që disa muaj,  një pjesë e rrugës nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme.

Zyrtarët thonë se infrastruktura e rrugës pritet të kompletohet këtë vit shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në këtë pjesë është intervenuar në instalimin e një gypi të ujësjellësit dhe më pas edhe atij të kanalizimit.

Për këtë banorëve dhe automjeteve u duhet të ecin nëpër rrugën me zhavorr, në trasenë e të cilës janë krijuar edhe shumë gropa.

Njëri nga banorët, Eljesaj Kelmendi, thotë se prej atëherë rruga ka mbetur në gjendje të keqe, ndërsa këtë çështje e ka paraqitur edhe tek zyrtarët komunal, në një debat me qytetarë.

Disa nga banorët e kësaj pjese, si Remzi Berisha, Fadil Bytyqi e të tjerë thonë se verës janë përballur me shumë pluhur, ndërsa tashmë me baltë, andaj kërkojnë rregullimin e trasesë së saj. Sipas tyre edhe pjesa tjetër e rrugës kërkon riparim, pasi ka pësuar deformime të shumta.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Lis Dorambari, ka thënë se ky projekt është përfunduar në tërësi, ndërsa kontrata në fjalë është dy vjeçare dhe në këtë vit është planifikuar të përfundojë tërësisht projekti dhe të rregullohet edhe infrastruktura e rrugës-shtruarja e asfaltit. /GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.