Prizren: PDK do hetime për shembjen e shtëpisë në Zonën Historike
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) subjekt ky më i madhi opozitar në Prizren ka kritikuar pushtetin lokal dhe ka kërkuar hetime rreth rastit të shembjes një ditë më parë të një shtëpie në këtë qytet, ku u lënduan dy familjarë.
Në një kumtesë të tyre, thuhet se Komuna e Prizrenit nuk ka ndërmarrë masat parandaluese, andaj kerkohet hetim i plotë dhe pavarur:
Kumtesa e tyre:
“Dje, ishim dëshmitarë, të shembjes së pjesshme edhe të një ndërtese, në Qendrën Historike të Prizrenit, e ku si pasojë, kishim dy familjarë të lënduar. PDK në Prizren, shpreh shqetësimin e thellë, me trajtimin jo dinjitoz, që po i bëhet trashëgimisë kulturore, në qendrën historike të Prizrenit, nga ana e autoriteve komunale, e ku si rrjedhojë, po rrezikohet edhe jeta e qytetarëve të komunës sonë.
Komuna e Prizrenit, e drejtuar aksidentalisht nga Mytaher Haskuka, po e dëshmon çdo ditë e më shumë të qeverisjes së tij, se nuk e ka në prioritet, jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të Komunës së Prizrenit, e aq më pak, ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, për të cilat propagandoi aq shumë gjatë fushatës zgjedhore.
Ky kryetar dhe kjo qeverisje, edhe përkundër faktit që në programin e tyre zgjedhor paraqisnin dhe proklamonin idetë e tyre për zgjidhjen e problemeve të shumta brenda Qendrës Historike të Prizrenit, nuk kanë planifikuar asnjë projekt të vetëm, për këtë pjesë të rëndësishme të qytetit.
Drejtuesit aksidental të Komunës së Prizrenit, që nuk njohin detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, e ku si rezultat i kësaj, nuk përmbushin as detyrimet ligjore, përpiqen që përmes rrjeteve sociale ta manifestojnë “dijen” e tyre, që për fat të keq nuk e kanë, duke u munduar që të adresojnë fajin diku tjetër, duke bërë përpjekje që të shfajësohen nga përgjegjësitë që kanë.
Degradimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit dhe mos reagimi me kohë në parandalimin e kësaj dukurie, është shqetësim i lartë për PDK-në, andaj marr për bazë këtë, PDK dega në Prizren, kërkon nga autoritetet e drejtesisë hetim të plotë dhe të pavarur të kësaj ngjarje të rëndë, me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe daljen para drejtësisë përgjegjësit e saj”, përfundon komunikata.