Ellis: Aktgjykim ndaj krerëve të UÇK-së mund të kontestohet në aspektin faktik dhe juridik
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Mark Ellis, ka thënë se aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të përballet me një proces të fuqishëm apeli.
Ellis ka vlerësuar se aktgjykimi mund të kontestohet si në aspektin faktik, ashtu edhe në atë juridik.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka shpjeguar se çfarë mund të jetë objekt i ankesave nga mbrojtja dhe Prokuroria.
“Mendoj se në apel gjithmonë ekziston mundësia të argumentohet se aktgjykimi është i gabuar, qoftë në aspektin faktik, qoftë në atë juridik. Kjo është ajo që do të përpiqet të bëjë mbrojtja. Por, duhet kujtuar se edhe Prokuroria mund të apelojë. Sa u përket lirimeve nga akuzat për krime kundër njerëzimit, pres që Prokuroria të argumentojë se trupi gjykues e ka zbatuar gabimisht kriterin për ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik”, ka thënë ai.
Ellis ka shpjeguar gjithashtu se cilat do të jenë argumentet kryesore që mund të përdorë mbrojtja në procesin e apelit.

“Nga ana tjetër, mendoj se mbrojtja do të argumentojë se nuk kishte prova që e lidhnin drejtpërdrejt Thaçin me krime konkrete, apo që dëshmonin se ai kishte kontroll efektiv mbi komandantët. Ky ishte një nga argumentet e mbrojtjes. Pra, ata do të argumentojnë se faktet nuk e mbështesin aktgjykimin. Mendoj se do të kemi një proces të fuqishëm apeli, nga të dyja palët”, është shprehur ai.
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare ka vlerësuar se procesi i apelit mund të zgjasë për shkak të kompleksitetit dhe volumit të çështjes.
“Është pyetje e mirë. Duke pasur parasysh sa gjatë ka zgjatur gjykimi, edhe apeli mund të marrë kohë. Por, nuk bëhet fjalë për një gjykim të ri – çështja nuk do të rigjykohet nga fillimi. Në apel do të shqyrtohen çështjet juridike dhe faktet që janë paraqitur gjatë gjykimit. Nuk mund të them saktësisht se sa do të zgjasë procesi, por sigurisht nuk do të zgjasë aq sa gjykimi”, ka thënë ai.


