17-09-2026

Pas aktgjykimit, Specialja nis procedurën për zhdëmtimin e viktimave – caktohen afatet

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vendosur të zhvillojnë procedurën për zhdëmtimin e viktimave në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, pas shpalljes së aktgjykimit të 16 shtatorit.

Sipas urdhrit të Trupit Gjykues II, procedura do të zhvillohet para Dhomave të Specializuara dhe, nëse nuk paraqiten kundërshtime nga Mbrojtja, viktimat nuk do të referohen për të kërkuar zhdëmtim përmes padive civile në gjykatat e Kosovës.

Vendimi bazohet në nenin 22(8) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe rregullën 168 të Rregullores së Procedurës dhe Provave. Sipas kornizës ligjore, kur një i akuzuar shpallet fajtor, trupi gjykues mund të nxjerrë urdhër drejtpërdrejt ndaj personit të dënuar, duke përcaktuar zhdëmtimin e duhur për viktimat, individualisht ose kolektivisht.

Trupi Gjykues ka vlerësuar se nuk do të ishte e përshtatshme që viktimat të referoheshin në procedura civile në Kosovë.

Në urdhër thuhet se gjykatat civile në Kosovë, sipas vlerësimit të Panelit, nuk ofrojnë një rrugë “efektive dhe realiste” për viktimat e këtij rasti që të kërkojnë zhdëmtim për krimet për të cilat të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Paneli ka marrë parasysh, ndër të tjera, edhe faktin se viktimave pjesëmarrëse në procedurë u është garantuar anonimiteti ndaj publikut.

Në arsyetimin e tij, Paneli ka vlerësuar gjithashtu se referimi i viktimave në gjykatat e Kosovës mund të rrezikojë masat mbrojtëse të vendosura nga Dhomat e Specializuara dhe të ndikojë negativisht në të drejtën e tyre për zhdëmtim. Sipas tij, Dhomat e Specializuara përbëjnë forumin më të përshtatshëm për përcaktimin e zhdëmtimeve që burojnë nga krimet për të cilat janë dhënë dënimet.

Megjithatë, ky hap nuk është ende përfundimtar. Mbrojtjes i është dhënë mundësia të paraqesë kundërshtime ndaj vendimit për të mos i referuar viktimat në gjykatat e Kosovës deri të martën, më 22 shtator 2026. Mbrojtja e Viktimave dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mund t’u përgjigjen kundërshtimeve deri më 25 shtator. Nëse nuk paraqiten kundërshtime, Paneli do të vazhdojë me procedurën e zhdëmtimeve.

Edhe ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë deri më 22 shtator nëse synojnë të paraqesin prova në kuadër të procedurës së zhdëmtimeve.

Ndërkohë, Mbrojtja e Viktimave është urdhëruar që kërkesën konkrete për zhdëmtime ta dorëzojë deri më 14 tetor 2026. ZPS-ja dhe ekipet e Mbrojtjes do të kenë afat deri më 4 nëntor 2026 për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.

Në dispozitivin e urdhrit, Trupi Gjykues II konfirmon se do të zhvillojë procedurën e zhdëtimeve dhe do të nxjerrë një urdhër për zhdëmtim sipas nenit 22(8) dhe rregullës 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtime.

Urdhri është nxjerrë më 16 shtator 2026 në Hagë nga Trupi Gjykues II, i kryesuar nga gjyqtari Charles L. Smith III. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.