08-08-2022

Prizren: Përfundoi në polici, kush është i riu që rrahu keq ish-dhëndrin dhe motrën e tij

Një rrahje ka ndodhur sot në Prizren. Motër e vëlla janë dërguar në spital si pasojë e lëndimeve të marra nga një sulm fizik që dyshohet se iu bë nga vëllai i ish-bashkëshortes së 37-vjeçarit. Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës të cilët kanë arritur që ta arrestojnë personin e dyshuar.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari për sulmin fizik ndaj ish-dhëndrit dhe motrës së tij është L. Ponik19-vjeçar.

Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur sot rreth orës 12:30 në rrugën “Mursel Osmanaj”, ku Ponik dyshohet se ka rrahur keq 37-vjeçarin të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, si dhe motrën e tij, e cila po ashtu u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Njësitet policore kanë arrestuar 19-vjeçarin, të cilin më pas e kanë shoqëruar në stacion për intervistim, ku ndaj tij është iniciuar rasti ‘Lëndim i rëndë trupor’.

Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës në Prizren, Faton Alija, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.