Drejtoria e Arsimit në Prizren ka sqaruar shpalljen dy herë radhazi të konkursit për drejtor në shkollën e Ortakollit, si dhe shpalljen për këtë pozitë në “Lekë Dukagjini”, derisa drejtori aktual ka mandat deri më 2020.
Drejtori Skënder Susuri, ka thënë se në këto raste bëhet fjalë për ndarjen e shkollave në dy nivele, për shkak të numrit të nxënësve dhe me qëllim të rritjes kontrollit dhe cilësisë në mësimnxënie, kur dihet se këto shkolla punojnë në dy objekte të ndara fizike, raporton “GazetaePrizrenit.net”.
“Konkursin e kemi hapur, për të qenë të përgatitur në shtator, ndërsa shkollat do të ndahen nga niveli i klasës 1 deri 5-te dhe tjetra nga ajo 6 deri në 9-të”, ka thënë ai.
I pyetur nëse përben shkelje ligjore, shpallja e konkursit pa u ndarë paraprakisht shkollat, Susuri këtë e ka mohuar duke thënë se procedurat përkatëse janë zhvilluar dhe ka konfirmimin e këshillave drejtuese të shkollave.
“Janë formuar komisionet e DKA-së për ndarje të shkollave në nivele dhe nga shtatori ato do të funksionojnë si të pavarura. Po ashtu kemi siguruar edhe kodin buxhetor”, ka thënë ai, duke shtuar se objekti i ish-shkollës së mjekësisë, në të cilin tashmë punon shkolla “Lekë Dukagjini”, do të rinovohet në shtator./gazetaeprizrenit.net/