26-11-2024

Prizren: Burri që u dogj sot në veturë ishte ushtar i UÇK-së

Rast tragjik ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Prizren, ku 55-vjeçari Shefqet Krasniqi, dyshohet se i dha fund jetës, duke ia vënë flakën vetes brenda veturës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Ky rast ka tronditur jo vetëm familjen Krasniqi nga Jeshkova, por edhe shumë shokë, miq e bashkëluftëtarë të të ndjerit.

Sipas njoftimeve të portalit “Gazeta e Prizrenit”, Shefqet Krasniqi ishte luftëtar i UÇK-së, në Brigadën 125 (Vrri), përkatësisht korrier personal i komandantit  Remzi Ademajt- Petriti (tash Hero i Kosovës).

Ish-komandanti Zafir Berisha, tha se ky lajm e ka tronditur atë, aq më tepër pasi Shefqeti ishte njeri shumë i hareshëm,  dhe se pas luftës ishte angazhuar në jetën familjare, ndërsa në asnjë mënyrë nuk kishte dhënë shenja dëshprimi, pasi kishte edhe standard jetësor mesatar.

“Shefqeti ishte arrestuar nga policia serbe mw 1998, derisa po e dërgonte një letër nga Komandant “Petriti” për në Prizren. Letrën e fshehur në këpucë, nuk arritën t’ia zbulojnë meqë ishte njeri që nuk binte fort në sy”, tha Berisha për Gazetën e Prizrenit derisa kujtoi një moment nga lufta çlirimtare.

Ai tha se Shefqeti ishte shembull në këtë botë, si prind, si shok, si luftëtar në shërbim të Kosovës dhe nuk e ka meritu të largohet nga kjo botë kështu dhe në këtë kohë!

Derisa Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë, motivi i rastit akoma nuk dihet.

Sipas njoftimeve, përkundër intervenimit të njësiteve të Zjarrfikësve, viktima u gjet i djegur dhe u bë shkrumb e hi.

Policia e ka konfirmuar lajmin, me ç’rast u njoftua se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë”.

“Në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësit përgjegjëse për rastin si dhe prokurori kujdestar. Nga hetimet e para dyshohet se viktima ka bërë vetëvrasje. Me urdhër të prokurorit rasti cilësohet “Vdekje e dyshimtë“ dhe mbetjet nga trupi i pa jete dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminim.”, ka njoftuar Policia./ Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

A ka pësuar metamorfozë Shaqir Totaj? ( pjesa 2 )

Asnjë koment

Comments are closed.