Prizren: Policia jep detaje rreth vdekjes aksidentale të 41 vjeçarit në Romajë të Hasit
Një rast i rëndë ndodhi dje në fshatin Romajë të Hasit të Prizrenit, ku një person 41-vjeçar humbi jetën, teksa ishte duke peshkuar, raporton Gazeta e Prizrenit.
Viktima Florim Sokoli kishte dalë të peshkonte në lumin Dështica, dhe pas aksidentit u dërgua në spital, por nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve. Ai la pas vetes tre fëmijë,
Policia sot në raportin 24 orësh, dha detaje rreth këtij rasti:
“Prizren / 14.04.2024 – 16:40. Një mashkull kosovar dyshohet se ka vdekur si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike të gjeneratorit derisa ishte duke peshkuar në lum. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në raport.
Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.
Ndryshe, raste të tilla të vdekjes si pasojë e peshkimit me gjenerator në këtë lum, ka pasur edhe më parë, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Sipas njoftimeve nga familja, varrimi i viktimës do të bëhet, sot pasdite ne ora 16:00./ Gazeta e Prizrenit