19-05-2024

Prizren: Prokuroria kërkon dënimin e ish-inspektorit të tregut, mbrojtja kërkon lirimin e tij nga akuza për keqpërdorim pozite

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar dënimin e ish-inspektorit të tregut, Fatmir Gashi, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Kurse, mbrojtja e të akuzuarit ka kërkuar që i njëjti të lirohet nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gashi akuzohet se në gusht të vitit 2014, si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Prokurorja Ervehe Gashi, gjatë elaboratit të fjalës përfundimtare, ka deklaruar se kërkon dënim sipas ligjit për të akuzuarin.

Sipas prokurores Gashi, nga provat e administruara në këtë çështje penale, deklaratat e dëshmitarëve dhe provat materiale, është vërtetuar në tërësi gjendja faktike e përshkruar si në dispozitivin e aktakuzës dhe se nga gjendja faktike rezulton se janë përmbushur të gjitha elementet që e përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Gashi, avokati Skender Morina deklaroi se i mbrojturi i tij nuk ka dhënë leje për hapjen e lokalit “Game Plus”, por vetëm ka dhënë pëlqimin për hapjen e tij dhe se një kompetencë të tillë për dhënien e lejeve e ka vetëm Administrata Tatimore e Kosovës.

Ai më tej shtoi se nuk ka pasur ankesa as nga përfaqësuesit e objekteve fetare, e as nga përfaqësuesit e objekteve shkollore dhe se matja zyrtare është bërë përmes një aplikacioni të telefonit.

Në fund mbrojtësi deklaroi se veprimet e te mbrojturit të tij janë bërë pa dashje, duke kërkuar lirimin e Gashit nga akuza.

Pas dhënies së fjalëve përfundimtare, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 6 mars 2020, në ora 13:15.

image

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 24 maj 2019, i pandehuri Fatmir Gashi akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Fatmir Gashi akuzohet se me 29 gusht 2014 në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i tregut në kuadër të Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 66 të Ligjit për Lojërat e Fatit, jep pëlqimin për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit për lojërat e fatit “Game Plus”, për njësinë në Prizren, në rrugën “Jusuf Gërvalla”, e cila njësi është 300 metra afër xhamisë.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij pëlqimi ky biznes është licencuar nga Divizioni për Lojërat e Fatit, me ç’rast biznesit në fjalë i sjellë dobi duke ia aprovuar kërkesën dhe duke e lejuar që ta ushtrojë veprimtarinë e tij, deri me 28 korrik 2017, kur Divizioni për Lojërat e Fatit i ATK-së e mbyll këtë veprimtari.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtare.  /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.