Prizren: Prokuroria tërhiqet nga dy pika të aktakuzës, ndërsa për një e pranon fajsinë Irfan Fusha
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, është mbajtur seanca e shqyrtimit kryesor ndaj Irfan Fushës, si person përgjegjës i kompanisë Sh.P.K “Abi Elif”.
Në këtë shqyrtim gjyqësor, në fjalën hyrëse të tij prokurori Shpend Binaj, u tërheq nga pika 1 dhe 2 e aktakuzës, të cilat Irfan Fushën dhe kompanin “Abi Elif” e ngarkonin me veprën penale “punimet ndërtimore të kundërligjshme”, mirëpo qëndroi pranë pikës së tret të aktakuzës e cila e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “ heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kësaj mbrojtësi i të akuzuarit Irfan Fusha, avokati Ruzhdi Berisha deklaroi se duke pasur parasysh faktin se për veprën penale nga pika 3 e aktakuzës nuk është thënë që veprimin konkret ta ketë ndërmarrë në këtë rast vet i akuzuari, ngase këtë ka mundur ta bëjë nga shumë punëtorë të cilët ato ditë aty kanë qenë të angazhuar në kryerjen e punimeve, gjithsesi përgjegjësia vjen në këtu të akuzuarin Irfan Fusha dhe pas konsultimit me të akuzuarin deklarojmë se i akuzuari Irfan Fusha pranon fajësinë për veprën penale nga pika 3 e aktakuzës.
Kurse i akuzuari Irfan Fusha në fjalën hyrëse deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale heqja apo dëmtimi vulave zyrtare ose i shenjave, pasi që prokurori i shtetit tanimë është tërhequr nga ndjekja penale sa i përket pikës 1 dhe 2 të aktakuzës.
Lexo edhe:
A do ta mbajë Haskuka ripremtimin për zhbllokimin e transitit të ri në Prizren?!
Prokurori Binaj nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Irfan Fusha dhe tha se qëndron në tërësi sipas pikës 3 të aktakuzës për veprën penale heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave dhe i propozoj gjykatës që të akuzuarin Irfan Fusha ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe i propozojë gjykatës që të merre parasysh që të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në llojin dhe lartësinë e dënimit e si rrethanë lehtësuese të merre parasysh pranimin e fajësisë nga i akuzuari Irfan Fusha ngase i njëjti në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë për veprën penale sipas pikës 3 të aktakuzës.
Mbrojtësi i të akuzuarit Irfan Gashi , avokati Ruzhdi Berisha deklaroi se rrethanë me rëndësi e cila duhet vlerësuar me rastin e vendosjes mbi dënimin është rrethana nën të cilën është kryer vepra penale .
“Ato ditë në pjesët tjera të objektit nuk ka pasur shirita ngase punimet janë zhvilluar në bazë të lejes ndërtimore, ku ka qenë i angazhuar numër i madh i punëtorëve, ngase janë zhvilluar punimet e fundit me qëllim të hapjes së Qendrës Tregtare. Kësisoj shiritat kanë mund të dëmtohen nga shumë punëtorë të angazhuar apo edhe eventualisht nga kushtet atmosferike që kanë ekzistuar atyre ditëve . Pavarësisht nga gjithë kjo i akuzuari ka pranuar fajësinë ngase ai është personi përgjegjës”, ka thënë ai .
Mbrojetësi ka kërkuar që të merret parasysh edhe që i akuzuari nuk ka rënë më parë ndesh me ligjin.
“Andaj me rastin e vendosjes së dënimit përpos rrethanës së sipërshënuar duhet të marrë parasysh veçmas pranimin e fajësisë , se i akuzuari deri më tash nuk ka ra ndesh me ligjin , se është njeri i respektuar jo vetëm në qytet por edhe më gjerë , gjithë që ka ndodhë ka qenë e rastit andaj edhe propozojmë që për veprën penale në fjalë t’i shqiptohet një dënim sa më i butë”, deklaroi në fund avokati Berisha
I akuzuari Irfan Fusha në fjalën përfundimtare deklaroi se pajtohet në tërësi me fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij .
Pas kësaj gjyqtarja Vjollca Buzhalla, aprovoi pranim e fajësisë nga i akuzuari për verën penale dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave dhe njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 26.10.2020 në ora 15:00.
Ndryshe sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Irfan Fusha akuzohej se si person përgjegjës i personit juridik SH.P.K “Abi Elif”, vepron në kundërshtim me ligjin për ndërtim dhe me kushtet e lejes së ndërtimit.
Sipas aktakuzës me këtë rrezikon jetën, trupin dhe pasurin, duke mos respektuar Aktvendimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren me nr. 17-354-56 të datës 08.05.2018 për ndërprerjen e punimeve në lokacionet të cilët janë jashtë lejes ndërtimore dhe dokumentacioni teknik-kopjes së planit, ashtu që vazhdon punimet duke bërë murimin e disa mureve, vendosjen e kabllove të elektrikes, rrafshimin e pllakave, të gjitha këto punime në objekt në kundërshtim me lejen e ndërtimit me nr. 04-351/02-35032, të datës 11.04.2017.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme
Në pikën e dytë të aktakuzës akuzohej se i pandehuri personi juridik: Ndërmarrja e Re-Industria Ushqimore SH.P.K “Abi Elif” në Prizren, II. Prej datës 11.04.2017 deri me 04.07.2018, në Prizren, në rrugën “Tirana”, saktësisht në parcelën kadastrale 6939-0 ZK Prizren, i pandehuri personit juridik, vepron në kundërshtim me ligjin për ndërtim nr.04/L-110 dhe me kushtet e lejes së ndërtimit.
Sipas aktakuzës me këtë rrezikon jetën, trupin dhe pasurin, duke mos respektuar Aktvendimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren me nr. 17-354-56 të datës 08.05.2018 për ndërprerjen e punimeve në lokacionet të cilët janë jashtë lejes ndërtimore dhe dokumentacioni teknik-kopjes së planit, ashtu që vazhdon punimet duke bërë murimin e disa mureve, vendosjen e kabllove të elektrikes, rrafshimin e pllakave, të gjitha këto punime në objekt në kundërshtim me lejen e ndërtimit 351/02-35032, të datës 11.04.2017.
Me këtë, kanë kryer veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme
Sipas pikës së tretë të aktakuzës Irfan Fusha, akuzohet se prej datës 11.06.2018 deri me 04.07.2018, në Prizren, në rrugën “Tirana”, saktësisht në parcelën kadastrale 6939-0 ZK Prizren, ku është duke u ndërtuar objekti ndërtimor afarist “Abi Çarshia”, në bazë të lejes ndërtimore të lëshuar nga drejtoria e Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor me nr.04-351/02-35032 të datës 11.04.2017, i pandehuri vepron në kundërshtim me Aktvendimin e Inspektoratit Komunal Ndërtimtarisë në Prizren me nr. 17-354-56, të datës 08.05.2018 për ndërprerjen e punimeve, në mënyrë vullnetare i heq shiritat e vendosur nga Inspektorati Komunal për ndërprerjen e punimeve sipas procesverbalit me nr. 0003580, të datës 11.06.2018.
Me këtë Irfan Fusha akuzohet se ka kryer veprën penale, heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave. /BetimipërDrejtësi