05-12-2020

A do ta mbajë Haskuka ripremtimin për zhbllokimin e transitit të ri në Prizren?!

Ndonëse premtimin rreth zhbllokimit të rrugës së transitit të ri, nga një shtëpi në lagjen “Arbana” të Prizrenit nuk e pati përmbushur vitin e kaluar, kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka edhe një herë publikisht ka premtuar zgjidhjen e kësaj çështjeje, tashmë duke marrë edhe premtime për ndihmë nga Kuvendi Komunal (KK), shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Kjo ka ndodhur në debatin e tij me gazetaren Jeta Xharra në kuadër të debateve “Jeta në Komuna”, në të cilin është ngritur çështja e rrugës së bllokuar prej shtatë vitesh,  që lidhë lagjen “Arbana” me “Dardaninë”, përkatësisht magjistralen për në Gjakovë me atë për Prishtinë.

“Jam i interesuar ta zgjedh këtë çështje, por kur kemi bërë disa përpjekje kanë ndërhyrë të tjerë dhe e kanë prishur, andaj do t’i mbaj fshehtë disa gjëra”, ka deklaruar Haskuka.

Lexo edhe:

Rrena e kryetarit Haskuka rreth dënimit të ish-drejtorit të tij për Arsim, Skënder Susurit (dok)

Transiti i ri është ndërtuar gjatë qeverisjes së Ramadan Mujës, por për shkak të shpronësimit çështja kaloi në gjykatën e Prizrenit. Edhe pse kaluan disa vite, ende nuk ka një vendim, ndërsa rruga mbetet e mbyllur, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Shefi i grupit të AAK-së në KK, Ilir Baldedaj, që po ashtu ishte pjesë e emisionit të përmendur,  i ka premtuar kryetarit ndihmën e Kuvendit në këtë drejtim, duke i thënë se çfarë do forme të kompromisit, që sjell në këtë organ do ta ketë mbështetjen, vetëm e vetëm që rruga të hapet në të mirë të qytetarëve.

Në kontekstin e sqarimit të opinionit, Baldedaj njoftoi se me çështjen e pronave publike menaxhon kryetari i komunës, ndërsa vendi ku ndodhet shtëpia në hyrje të transitit është pronë komunale, dhe pronari ka vetëm të drejtën e banimit.

Ndonëse, hapjen e transitit për shkak të kalimit të çështjes në gjykatë nuk mundi ta bëjë ish-qeverisja e PDK-së, me ardhjen në pushtet këtë premtoi ta bëjë Haskuka i Vetëvendosjes!

Çështja u diskutua disa herë edhe nga këshilltarët e Kuvendit Komunal, derisa Haskuka në mars të vitit të kaluar, deklaroi se nëse gjykata nuk ndërmerr ndonjë veprim konkret, atëherë do të veprojë KK për ta sjellë një vendim rreth kompensimit të saj.

Por, ndonëse kaloi një vit e gjysmë nga ajo kohë nuk pati ndonjë lëvizje të dukshme,

Ndërkaq, në seancën e fundit të KK-së, kuvendari i AAK-së, Alush Shala derisa ka pyetur kryetarin Haskuka për veprimet e në këtë drejtim, ka pyetur se cili është roli në komunë i Nol Bytyçit, që sipas tij qenka angazhuar në negociata, të cilat qenkan duke u zhvilluar.

Kohë më parë edhe Partia Nisma, ka reaguar duke akuzuar se në mungesë të guximit dhe vizionit, mbi tre milion euro të investuara në transitin e ri,  tash e sa vite rrugën e shfrytëzon vetëm një familje.

Sidoqoftë, derisa gjykata apo komuna të sjellin ndonjë vendim, prizrenasit dhe vozitësit tjerë janë të detyruar të lëvizin nëpër rrugë tjera alternative apo edhe nëpër qendër të qytetit./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.