23-11-2024

Prizren: Promovohet libri “Proza e Martin Camajt” i Dr. Yrjet Berishës

Krijues dhe dashamirë të letërsisë, sot në Prizren morën pjesë në Promovimin e librit të shkrimtarit të ndjerë, Dr. Yrjet Berisha “Proza e Martin Camajt”, raporton Gazeta e Prizrenit.

Para të pranishmëve një vështrim rreth librit e paraqitën Skënder Zogaj dhe Nexhat Çoçaj, të cilët ndër tjera vlerësuan këtë, si punimin më të kompletuar për krijimtarinë në prozë të Camajt.

Përurimi është bërë në kontekstin e shënimit të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, fushë kjo ku një jetë të tërë kishte punuar edhe shkrimtari prizrenas, Berisha.

Krijuesi prizrenas, Musa Bushrai para të pranishmëve veçoi një kronikë të shkurtër mbi Ulinën, pjsë e romanit Ulkiani“.

“Gjuha e veprave të Camajt është ekzemplar i rrallë, që gjuhësia e letërsia jonë deri më tash e ka injoruar. Brenda ngjyrës së saj lexuesi ndien bukurinë, tingullin, madhështinë e shqiptimit të hershëm që me vite të tëra gjallëroi nëpër gjenet e të parëve tanë”.

Yrjet Berisha ka botuar disa punime shkencore e libra, si:  “Anatomia e vetmisë” (poezi – 1994), “Vetë” (poezi – 1994), ”Edhe rastësi” (poezi – 2000), “Ora” (dramë – 2000), si dhe romanin “Ulkiani”, më 2004. Poezitë e tij u botuan edhe në gjuhën kroate, suedeze, rumune, ruse etj.

Në emër të familjes falënderoi djali i profesor Yrjetit, Dr. Zgjim Berisha.

Profesor Yrjet Berisha, që në vitet e fundit punoi në Universitetin “Ukshin Hoti” të Prizrenit, vdiq 6 vjet më parë, në moshën 60 vjeçare./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.