25-11-2024

Prizren: Protestim kundër aktvendimit të Gjykatës për dënimin me 15 vite burgim të Ilir Haxhiajt për lëndim të rëndë trupor

Prizren – Të hënën, para Gjykatës Themelore në Prizren kanë protestuar disa qytetarë kundër aktgjykimit dënues të shpallur më 03 shkurt 2021, me të cilin të akuzuarin Ilir Haxhiaj ishte dënuar me 15 vite burgim për lëndim të rëndë trupor.

Lidhur me këtë, sot para gjykatës protestuan disa qytetarë kundër këtij vendimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ata kërkuan që Ilir Haxhiaj të dënohet për vrasje, e jo për lëndim të rëndë trupor.

Me pankartat “Mos i jepni zemër vrasësve”, “shteti patriarkal”, ishin vetëm disa prej tyre që shprehën kundërshtimin kundër këtij vendimi.

Ndryshe, për këtë rast, gjykata më 03.02.2021, kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Ilir Haxhiajt, i cili bashkëshortes së tij, tani të ndjerës H.D, i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasojë vdekjen.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësja Ajser Skenderi, i akuzuari Ilir Haxhiaj, shpallet fajtor për veprën penale “lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186, paragrafi 5, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës, me çka u dënua me 15 vite burgim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 30 gusht 2019, Ilir Haxhiaj akuzohet se më 31 maj 2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën “Suzuki” Ëagon R+ në rrugën “Gusia” në dalje të fshatit Samadraxhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, të ndjerën H. D., e ulur mbrapa me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj i akuzuari Ilir Haxhiaj e ka ndalur makinën në anën e djathtë të rrugës dhe e ka nxjerr nga vetura me forcë të ndjerën.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Haxhiaj pasi kanë dalur jashtë nga vetura, ka filluar ta sulmojë fizikisht bashkëshorten e tij, të ndjerën H. D., duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit e cila pastaj është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti ku i pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore dhe në vertikuj.

Si pasojë e dëmtimeve në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, H. D., kishte vdekur në QKUK në Prishtinë./BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.