25-02-2021

Gastronomët paralajmërojnë protesta të vazhdueshme nëse shtrëngohen masat pas zgjedhjeve

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka thënë se një mbyllje tjetër e vendit do të falimentonte bizneset e gastronomisë.

Kllokoqi ka paralajmëruar protesta të njëpasnjëshme, nëse tentohet që të ketë shtrëngim të masave pas zgjedhjeve.

“Humbjet deri më tash janë të paparashikueshme, mos të them që tash është lufta vetëm për ekzistencë për të gjithë gastronomët dhe nuk ka më humbje, por shkon direkt në mbyllje dhe falimentim sepse ka rënë edhe kërkesa agregate dhe numri i konsumatorëve, ka rënë fuqia blerëse dhe këto e kanë dëmtuar shumë gastronominë”, ka thënë Kllokoqi për Ekonomia Online. “Nuk e di a ekziston një politikan legjitim i cili mundet më thënë që pas zgjedhjeve duhet të mbyllemi ose të ashpërsohen masat për gastronominë, pasi që këta që vet deri më sot na kanë thënë që duhet të mbyllemi sot vet po i thyejnë rregullat. Ne po e shohim që ata filluan ta adaptojmë ligjin për 30 persona në ambiente të mbyllura, 50 persona në ambiente të hapura, pasi që atyre iu konvenoi, mirëpo edhe këtë ligj janë duke e thyer. Kështu për neve do të jetë çdo masë e re e papranueshme dhe nuk do të pranojmë mbyllje ose ashpërsim masash ndaj gastronomëve. Ne do të organizojmë protesta të njëpasnjëshme dhe nuk do të pranojmë këtë”.

Sipas Kllokoqit ndihma që Qeveria ka ofruar për këtë sektor është qesharake.

“Subvencionimet e shtetit po shohim që janë qesharake. 3 milionëshi që është ndarë nuk është më as subvencionim, nuk është më as ndihmë sociale. Se këta po thonë se po ndajë 3 milionë për gastronomi por kur ndahen ato, përpjesëtohen me 8 ose 9 mijë biznese gastrononomike më nuk është as ndihmë sociale”, ka shtuar ai.

Tutje Kllokoqi ka thënë se nuk ndihen përgjegjës për shtimin e rasteve me Covid-19, sepse janë politikanët ata që vet po i thyejnë rregullat e pandemisë.

“Deri më tash Qeveria dhe e gjithë politika kanë bërë kalkulime për vete dhe nëse rritet numri i rasteve me Covid, ka me u rrit shkaku i tyre, nuk ka me u rrit shkaku ynë. Ne jemi në atë pikë që kemi qenë edhe më parë, njëjtë jemi duke funksionuar dhe nuk jemi shkaktar të rritjes së numrave por janë vet ata. I themi politikës që të na ftojë tash të diskutojmë se pas zgjedhjeve çka do të ndodhë mbyllje. Ne do t’i provojmë së pari të gjitha rrugët demokratike pastaj do të kalojmë në protestat të cilat vetëm shkojnë duke u rrit në numër”, ka shtuar Kllokoqi./ekonomiaonline

Asnjë koment

Comments are closed.