19-04-2024

Prizren: Publikohen disa “parregullsi” gjatë përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave

Procesi i përzgjedhjes së drejtorëve dhe zv/drejtorëve në kuadër të Drejtorisë së Arsimit në Prizren, që u përfol shumë për “parregullsi” vazhdon të zgjojë interesimin e opinionit, meqenëse pati shpallje, anulim dhe rishpallje të Konkursit për mëse 30 shkolla, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Ndonëse, tashmë janë publikuar emrat e të përzgjedhurve për këtë pozitë në disa shkolla, njëra nga anëtarët e shoqërisë civile, që ishte pjesë e pavarur e monitorimit të procesit, Valmira Morina, sot ka publikuar një raport të monitorimit, ku paraqiten disa “parregullësi”, ndërsa jepet si rekomandim anulimi i Konkursit për dy shkolla, një fillore dhe një të mesme.

Postimi i plotë i saj:

RAPORT MBI PROCESIN E MONITORIMIT TË PUNËS SË KOMISIONIT NË PËRZGJEDHJEN E DREJTORËVE DHE ZV. DREJTORËVE TË SHKOLLAVE TË PRIZRENIIT NË FAZËN E PARË
Open photo
Me datën 19.04.2022 është hapur konkursi për drejtor/e dhe zv.drejtor/e të shkollave të Prizrenit nga Drejtoria për Arsim. Afati i aplikimit ishte nga data 19.05.2022 deri më datë 26.05.2022.
Edhe pse drejtorja për Arsim na kishte premtuar se do të ishim të përfshirë që nga fillimi i procesit në monitorim, ne nuk ishim të ftuar për monitorimin e procesit të klasifikimit të kandidatëve në bazë të dokumentacionit që kishin dërguar në aplikim për të parë se kush i plotësonte kushtet për të vazhduar në fazën e intervistimit e kush jo.
Edhe pse ne kërkuam publikisht përmes rrjeteve sociale dhe përmes emailit personal të drejtores që ky proces të mos mbahet pa ne, ata gjithsesi e mbajtën takimin. I verifikuan dokumentet e aplikantëve e për mungesë të dokumentacionit u anuluan 30 pozita për shkollat e Prizrenit.
Ne ftohemi me email në datën 09.06.2022 nga Drejtoria për Arsim që të monitorojmë procesin e intervistave i cili ishte paraparë të fillonte prej datës 15.06.2022.
Kemi monitoruar procesin e përzgjedhjes për drejtor/e të Gjimnazit ‘’Gjon Buzuku’’, të Çerdhes (IP) ‘’Zambaku’’, të ShFMU ‘’Lekë Dukagjini’’, për drejtor/e dhe zv.drejtor/e të Gjimnazit ‘’Remzi Ademaj’’, të ShFMU ‘’Heronjtë e Lumës’’ dhe të shkollave boshnjake.
TË GJETURAT:
Fillimisht të bëjmë një sqarim: Të gjithë kandidatët që kanë aplikuar për drejtorë/e kanë nënshkruar një dokument ku deklarojnë nën betim se nuk janë dhe nuk kanë qenë në pozita udhëheqëse brenda 3 viteve të fundit në subjekte politike.
Në një hulumtim të realizuar pamë që kishte kandidatë që e kishin kaluar fazën e verifikimit të dokumentacionit edhe pse ishin në pozita udhëheqëse brenda subjekteve politike. Me reagimin tonë në rrjete sociale dhe publikimin e U/A i cili e ndalon të konkurojë për drejtor/e këdo që ka pasur pozitë udhëheqëse brenda subjekteve politike në 3 vitet e fundit, një kandidat nga radhët e gjimnazit ‘’Gjon Buzuku’’ i tërheqë dokumentet të paktën dy ditë para intervistës, e mos më shumë.
Komisioni i fillon intervistat edhe me dy kandidatë edhe pse e dinin paraprakisht që kjo pozitë do të rishpallet sepse në mungesë të 3 kandidatëve në raundin e parë, konkursi shkon në rishpallje.
Ne nuk kemi pasur ndonjë sqarim se pse ka vazhduar procesi i intervistave mes dy kandidatëve kur paraprakisht e kanë ditur që njëri është tërhequr. E rrugës do të ishte që atë ditë kur janë tërhequr dokumentet nga X kandidati është dashur të rishpallet konkursi.
Kjo, një shkelje procedurale nga komisioni përzgjedhës.
Pas publikimit në rrjete sociale të nenit i cili i dënon deri në 3 vite burg ata të cilët bëjnë betim të rrejshëm edhe një kandidate në mëngjes, në ditën e intervistës për çerdhen ‘’Zambaku’’ i tërheqë dokumentet nga DKA por përsëri komisioni i vazhdon intervistat duke e intervistuar vetëm një kandidate, kandidate kjo e cila është anëtare e kryesisë së një nëndege të një subjekti politik.
Komisioni në bisedimet me ne ka deklaruar që kanë kërkuar interpretim ligjor nga MAPL se cila pozitë konsiderohet udhëheqje në subjekte politike e cila jo. Mirëpo ende pa e marrë interpretimin nga MAPL ata e kanë shpallur kandidaten si të pranuar në ShFMU ‘’Lekë Dukagjini’’.
Një interpretim të tillë e kemi kërkuar edhe ne sepse sipas logjikës, pozitë udhëheqëse është edhe të qenit anëtar/e e kryesisë së degës e nëndegës.
Në monitorim ishin edhe KDSH-të e secilit institucion shkollor ku konkuronin kandidatët. Ajo që ne kemi vërejtur është se pas përfundimit të intervistave për drejtor/e të gjimnazit ‘’Remzi Ademaj’’, një anëtar i komisionit i bënte presion Këshillit Drejtues të Shkollës (KDSH) që të nënshkruajë dokumentin e rekomandimeve i cili i dërgohet kryetarit me 3 emra, pa i ditur KDSH paraprakisht kush janë këta 3 emra.
Ai kërkonte që të vendosen emrat dhe nënshkrimet e KDSH në dokument e më pas komisioni në një zyre tjetër të bënte pikëzimin dhe të shënonte 3 emrat si rekomandim për kryetarin.
Ky veprim është shumë shqetësues për ne dhe ne konsiderojmë që është ndërhyrje në procedurat e rekrutimit.
Ajo që ne kemi vërejtur te gjimnazi ‘’Remzi Ademaj’’ është edhe numri i pyetjeve që u janë bërë kandidatëve nga komisioni. Numri i pyetjeve ndryshonte nga të gjithë kandidatët në njërin kandidat të cilin edhe e ka vendosur komisioni të parin në listën e të pranuarve e që për ne ishte i treti për nga përgjigjet e sakta në intervistë.
Në monitorim të ShFMU ‘’Lekë Dukagjini’’ ne vërejmë që njëri nga kandidatët i shkel syrin njërit anëtar të komisionit dhe gjatë gjithë intervistës sillet/qëndron si kapadai sepse nuk ishte shumë i interesuar që të ishte drejtor në atë shkollë.
Si duket kishte aplikuar sa për t’i bërë kuorumin dikujt tjetër.
Po ashtu në intervistat e kandidatëve për shkollat në gjuhën boshnjake nuk kishte përkthim dhe kjo e pamundësonte monitorimin e të gjithë anëtareve të ShC sepse nuk e dinim të gjithë gjuhën boshnjake.
Në monitorim të intervistave për zv.drejtor/e të gjimnazit ‘’Remzi Ademaj’’ njëri anëtar i komisionit ishte shumë i papërgatitur, doli nga lista e pyetjeve, vazhdoi me ide dhe komente të veta e kjo ndikoi shumë në përgjigjet e kandidatëve që la për të dyshuar që e bënte me qëllim për t’i nxjerrë keq të tjerët e të favorizonte njërin.
REKOMANDIMET:
Të anulohet përzgjedhja në ShFMU ‘’Lekë Dukagjini’’ deri sa të merret interpretimi nga institucionet qendrore lidhur me çka konsiderohet udhëheqje në subjektet politike e çka jo. Nëse një interpretim i tillë vetëm se është marrë dhe ne nuk kemi njohuri atëherë rekomandojmë qe të bëhet publik nga DKA. Nëse nuk ka interpretim ligjor pozitiv në këtë rast atëherë Kryetari i Prizrenit e ka shkel ligjin në emërimin e saj në këtë shkollë.
Të anulohen përzgjedhjet në gjimnazin ‘’Remzi Ademaj’’ sepse ka pasur presion nga komisioni në nënshkrimin e dokumentit në mënyrë të vrazhdë dhe është shkelje e procedurave të rekrutimit.
Të vërtetohet dhe të publikohen procesverbalet që dëshmojnë se ekziston KDSH në gjimnazin ‘’Remzi Ademaj’’! Sipas hulumtimit, kemi parë që gjimnazi ende nuk ka KDSH të konsoliduar dhe nëse kjo është e vërtetë atëherë janë shkelur procedurat ligjore sipas U/A në realizimin e intervistave në këtë rast.
Për të parë se cili kandidat ka dhënë përgjigjet e sakta, ne konsiderojmë që duhet të ketë një çelës të përgjigjeve ku edhe komisioni por edhe ne të tjerët të shohim cila është përgjigjja e duhur. Në këtë formë edhe vlerësimi do të ishte më real, sepse përveç pyetjeve rreth Kornizës Kurrikulare të Kosovës për të cilat dihet kur janë përgjigjet mirë ose keq për pyetjet tjera nuk mund të themi që dikush ka pasur mendim të gabuar e dikush jo e sidomos kur pyetjet janë më shumë në formë të konstatimit e mendimit personal të anëtarëve.
Jemi shumë të shqetësuar dhe të indinjuar që Kryetari i Komunës ka nënshkruar përzgjedhjen dhe rekomandimet e komisionit pa i kërkuar/pritur rekomandimet e tona të dala nga monitorimi i procesit.
Gabimet e kryetarëve vetëm sa po përsëriten.
Individët po ndryshojnë por gabimet janë të njëjta.
Open photo

Asnjë koment

Comments are closed.