Dëshmitarët Hasan Buzhala dhe Hamëz Kolgeci, kanë deklaruar se në cilësi të rojeve të pyllit kanë pasur për detyrë që edhe të lëshojnë fletë-përcjellje për thëngjill, si produkt i drurit.
Një deklaratë të tillë, ata e kanë dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-teknikut të pyjeve, Muharrem Basha, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Basha, akuzohet se në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë-përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari, duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e së hënës, dëshmitari Hasan Buzhala, duke u përgjigjur në pyetjet mbrojtësit të të akuzuarit Basha, avokatit Bashkim Nevzati, ka deklaruar se ka qenë i obliguar të lëshojë fletë-përcjellje.
Ai ka thënë se fletë-përcjelljet i ka lëshuar për masën drurore, por edhe për thëngjill.
“Fletë-përcjelljet i kemi lëshuar si për pyjet private dhe pyjet shoqërore. Kemi lëshuar fletë-përcjellje, kur janë prerë drutë e veta dhe pjesë të mbetura janë bërë qymyr, edhe për ato kemi lëshuar ndonjë rast”, ka thënë ai, duke shtuar se askush nuk u kishte thënë që mos t’i lëshojnë fletë-përcjelljet për thëngjill.
Dëshmitari Buzhala, ka thënë se ai deri para pesë vjetësh ka lëshuar fletë-përcjellje, ndërsa sipas tij, kolegët që janë marrë me këtë detyrë kanë lëshuar fletë-përcjellje deri në rastin, kur kolegu Muharrem Basha, është akuzuar nga prokuroria.
“Me sa di deri në rastin e kolegut kanë lëshuar, unë që pesë vite nuk punoj këtë punë, por edhe unë para pesë viteve kam lëshuar fletë-përcjellje, kur e kam punuar atë punë. Bllokat kanë qenë të shënuara dhe çdo javë janë dorëzuar në drejtori dhe askush nuk na ka thënë të mos lëshojmë”, ka deklaruar ai.
Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen e prokurores së rastit, Ervehe Gashi, nëse ka ndonjë vërtetim se ka lëshuar ai fletë-përcjellje për transport të thëngjillit, dëshmitari Buzhala, ka deklaruar se ai nuk i ka, por sipas tij, fletë-përcjelljet që i ka lëshuar i ka dorëzuar në Kuvendin Komunal, apo në organizatën punuese që ka qenë më herët.
Dëshmitari Buzhala, gjithashtu ka thënë se fletë-përcjelljet që kanë lëshuar para dhe pas lufte, kanë qenë të njëjta.
Në seancën e së hënës, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar edhe Hamëz Kolgeci, i cili duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Nevzati, ka deklaruar se ai përveç që ka punuar si roje pylli, ka lëshuar edhe fletë-përcjellëse.
“Sa më kujtohet hera e fundit që kamë lëshuar fletë-përcjellëse për bartjen e qymyrit ka qenë viti 2011-2012”, ka thënë dëshmitari Kolgeci.
Ai ka thënë se tanimë nuk lëshohen fletë-përcjelljet pasi që një gjë të tillë e kanë kërkuar inspektorët.
“Tani në inspektorat me sa e di kanë thënë që mos të lëshohet kjo leje. Por, ne përpara kemi lëshuar se askush nuk ka pru kurrfarë dokumenti që ne të mos lëshojmë, bllokat-fletë-përcjelljet kanë shkuar në zyre në Prizren, ato janë përcjellë për në Prishtinë, në drejtori dhe askush nuk na ka thënë që mos të lëshojmë fletë-përcjellje”, ka thënë ai.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Nevzati, i ka propozuar trupit gjykues që në cilësi të provës të pranohet edhe fletë-përcjelljet e lëshuara nga dëshmitarët Buzhala e Kolgeci, mirëpo një gjë të tillë e ka refuzuar prokurorja Ervehe Gashi, pasi që sipas saj, këto dokumente janë në kopje dhe duhet të sillen origjinalet.
Trupi gjykues, pasi që ka aprovuar kërkesën e prokurores, e ka ndërprerë seancën e së hënës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 11 dhjetor 2019, në ora 13:15.
Në seancën fillestare të mbajtur më 1 prill 2019, i akuzuari Basha është deklaruar i pafajshëm për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngritur më 27 shkurt 2019, Muharrem Basha, akuzohet se më 13 korrik 2018, në cilësinë e personit zyrtar si teknik i pylltarisë, në Drejtorinë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBPZHR), në Komunën e Suharekës, duke e shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër.
Sipas organit të akuzës, ai në kundërshtim me dispozitat ligjore që burojnë nga udhëzimi administrativ i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe Ligjit për Pyje të Kosovës, ai e pajisë qytetarin Shefket Aliaj me fletë-përcjellje dhe i lejon atij transportimin e thëngjillit, me ç’rast i shkakton dobi këtij qytetari duke e lejuar transportimin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1, lidhur me paragrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi