25-11-2024

Prizren: Shpallet aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për mashtrim

Të enjten, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve për mashtrim në bashkëkryerje, Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik.

Të akuzuarit Zylfiu dhe Ponik, u dënuan me dënim unik me gjobë dhe atë secili në shumën prej 1 mijë e 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të kësaj seance, prokurori Ramadan Koro deklaroi se është arritur marrëveshja mbi pranimin e fajësisë në mes të akuzuarve dhe prokurorisë.

Pas kësaj, gjykatësi Luan Berisha mori aktvendim për aprovimin e pranimit të marrëveshjes në fjalë.

E akuzuara Mirjeta Zylfiu u dënua me dënim me burgim prej 3 muajve, si dhe me dënim me gjobë, në shumën prej 500 euro.

Po ashtu, edhe i akuzuari Jesmiri Ponik u dënua me dënim me burgim prej 3 muajve, si dhe me dënim me gjobë, në shumën prej 500 euro.

Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarës Mirjeta Zylfiu, avokatja Emira Gavazaj Gashi i propozoi gjykatës që dënimi me burgim ndaj të akuzuarës Zylfiu të zëvendësohet me dënim me gjobë.

Po ashtu, avokatja Gashi kërkoi nga gjykata që dënimi me gjobë të mundësohet që të paguhet me këste mujore, duke shtuar se të akuzuarit janë bashkëshort dhe se të ardhurat e tyre janë të gjendjes së dobët ekonomike.

Një kërkesë të tillë e parashtroi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Jesmiri Ponik, avokati Hazer Susuri, duke shtuar se të ardhurat e të akuzuarve janë për ekzistencën e familjes, duke kërkuar nga gjykata që dënimi me gjobë të paguhet me 10 këste mujore.

Pas këtyre, gjykatësi Luan Berisha e aprovoi kërkesën e avokatëve mbrojtës, ku të akuzuarve Zylfiu e Ponik, u shqiptoi dënim unik me gjobë, secilit veç e veç në shumën prej 1 mijë e 500 euro.

Të akuzuarit dënimin me gjobë janë të obliguar ta paguajnë me 10 këste mujore të barabarta, dhe atë këstin e parë 15 ditë pas plotfuqishmërisë aktgjykimit, ndërsa këstet tjera në afat prej 30 ditëve, thuhet në aktgjykim.

Në rast se nuk paguhet dënimi me gjobë nga ana e të akuzuarve, atëherë dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me burgim, ku për çdo 20 euro, do të llogaritet një ditë burgim.

Obligohen të akuzuarit secili veç e veç, që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 20 euro, si dhe nga 30 euro në emër të fondit për mbrojtjen e viktimave.

Pala e dëmtuar Sabir Krasniqi, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt civil, u citua në aktgjykim.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, i përpiluar më 24 qershor 2020, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, po akuzohen se nga muaji shtator i vitit 2016 e deri në muajin tetor të vitit 2019, në vazhdimësi, duke vepruar në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, duke i fshehur faktet e mashtrojnë të dëmtuarin Sabit Krasniqi, nga fshati Lubiqevë, Komuna e Prizrenit.

Duke i premtuar fillimisht fejesë e më pas martesë të rrejshme me një vajzë që në realitet nuk ekziston me emrin B. B. nga fshati Xërxe, Komuna e Rahovecit, kinse me vendbanim në Zvicër, thuhet në aktakuzë.

Tutje, sipas aktakuzës, nga i dëmtuari Sabit Krasniqi përfitojnë para të gatshme në vlerë prej 5.200 euro, të cilat i dëmtuari ua paguan në disa pjesë të pandehurve me destinimin për ta ndihmuar financiarisht për shërimin nga kanceri A. B., motrën e B. B., bashkëshortes së tij të ardhshme.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit Mirjeta Zylfiu dhe Jesmiri Ponik, fejesën dhe martesën e premtuar nuk ia rregullojnë të dëmtuarit Sabit Krasniqi, e as paratë e marra për këtë qëllim nuk ia kthejnë, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkaktojnë dëm material.

Me këto veprime, të pandehurit Zylfiu dhe Ponik, po akuzohen se kanë kryer veprën penale: Mashtrimi, nga neni 323 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.