Prizren: Shqetëson rritja e rasteve të dhunës në familje, sidomos atyre recidiviste
Gjatë vitit 2018 janë pranuar 218 lëndë të cilësuara si dhunë në familje, ndërsa janë kryer 193 lëndë. Gjatë tre mujorit të parë të këtij viti janë pranuar 54 lëndë, ndërsa janë kryer 44 sosh, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Kështu është thënë në takimin e rregullt tre mujor të Mekanizmit institucional me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve që ndërlidhen me veprat penale të cilësuara si dhunë në familje, të mbajtur në Prokurorinë Themelore (PTH) në Prizren.
Në takimi ishin edhe përfaqësues nga Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit, ata nga Gjykata, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Strehimorja si dhe zyrtarë nga Shërbimi Sprovues.
“Me këtë rast u theksua si domosdoshmëri nevoja e përmirësimit të hartimit të kallëzimeve penale. U kërkua që kallëzimet penale të jenë më të formalizuara, të theksohen provat, vlerësimi i rrezikshmërisë, numri personal i viktimës, i të pandehurit etj”, thuhet në njoftimin nga PTH.
Nga të pranishmit u vlerësua se shqetësuese edhe me tutje mbetet rritja e numrit të rasteve të dhunës në familje, e sidomos të rasteve recidiviste. Andaj, u kërkua që rastet e tilla të trajtohen me prioritet dhe me seriozitet të theksuar dhe të vlerësohet shkaku apo problemi, në mënyrë që të shtohen mekanizmat e mbrojtjes ndaj dhunës në familje. /GazetaePrizrenit.net/.