03-05-2024

Prizren: LDK paralajmëron bojkot të mbledhjeve të Kuvendit Komunal, koalicioni në krizë të thellë

Përkundër që është në koalicionin qeverisës në Prizren, LDK ka paralajmëruar bojkot të seancave të Kuvendit Komunal (KK), duke e zhytur në krizë koalicionin qeverisës në Prizren, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ky subjekt kështu ka vepruar edhe sot, përderisa nuk mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të KK-së, që me pas u shty për mungesë kuorumi, pasi atë e braktisi edhe opozita (PDK-AAK-NDS).

Kuvendarët e LDK-së kanë qenë të pranishëm në ndërtesën e KK-së, por nuk kanë hyrë në sallën e mbledhjeve.

Kjo tregon për thellimin e krizës në koalicionin qeverisës Vetëvendosje-LDK-Nisma dhe partitë e minoriteteve.

Fillimisht mospjesëmarrjen në seancë të jashtëzakonshme e paralajmëroi kuvendari i LDK-së, Petrit Hoxha. “LDK nuk merr pjesë në Seancën e Jashtëzakonshme te thirrur nga Kryetari Mytaher Haskuka deri sa të konkretizon të gjitha marrëveshjet paraprake për një“Bashkqeverisje te mirfillte “, ka shkruar ai.

Më pas Hoxha ka konfirmuar për portalin “GazetaePrizrneit.net” se kështu do të veprohet edhe për seancat tjera.

Ndërkohë, pak më parë, edhe shefi i grupit të LDK-së, Haziz Hodaj në profilin e tij të “facebookut” ka shkruar lidhur me këtë.

“Asnjëherë nuk i kemi bërë obstruksione vendimeve në interes të Komunës, pavarësisht pozitës që kemi pasë në Kuvend, e as nuk do t’i bëjmë asnjëherë, por le ta harrojë sejcili që ne do të jemi patericë e çdo kujt e aq më tepër e atyre që kanë tendencë të kapin çdo gjë që u vie për dore. Kapjes duhet t’i vijë fundi se u bëmë qepaze o njerëz!”, ka shkruar ai.

Portali “GazetaePrizrenit.net” edhe më parë ka bërë një analizë për funksionimin e koalicionit qeverisës në Prizren:

A po mbahet “me zor” koalicioni qeverisës i Haskukës në Prizren?

Asnjë koment

Comments are closed.