25-04-2024

Prizren: Shtyhet gjykimi ndaj oficierit korrektues

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit Bajram Rexhaj, i cili përmes mbrojtëses së tij, avokate Dafina Osmani kishte njoftuar se ka probleme shëndetësore.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Artan Sejrani ka thënë se avokatja Osmani përmes emailit zyrtar ka njoftuar gjykatën se Rexhaj ka probleme shëndetësore dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, Sejrani tha se kërkesës për shtyrje mbrojtja i ka bashkangjitur edhe raportet mjekësore për të akuzuarin Rexhaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 1 dhjetor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, më 27 maj 2022, i pandehuri Bajram Rexhaj, akuzohet se më 16 mars 2022, në cilësi të personi zyrtar ka vepruar në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ditën kritike në pompën e derivateve “Shell” në hyrjen e parë të Prizrenit gjatë aplikimit të masës së simulimit të veprës së korrupsionit, ka pranuar para në shumën prej 50 euro, me qëllim që të fusë gjëra të ndaluara në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si: numër telefoni të “Ipkos”, dy kartela mbushëse telefonike dhe një parfum për një të burgosur me nofkën “Edin”.

Me këtë i pandehuri Rexhaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 421 paragraf 2 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.