Prizren: Shtyhet gjykimi për kanosjen e afaristit Morina
Mungesa e të akuzuarit për kanosje të një biznesmeni, Mehmet Mazrek, është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore të paraparë të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren.
Në këtë seancë gjyqësore ishte prezent prokurori Besim Susuri, i dëmtuari Reshat Morina dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Ethem Rogova, mirëpo ka munguar i akuzuari Mazrek megjithëse, sipas gjyqtares së rastit, i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.
Në këto rrethana, gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha, ka thënë se pasi që i akuzuari ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt për kohën dhe vendin e mbajtjes së seancës gjyqësore dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, për të lëshohet urdhër për sjellje me forcë për seancën e radhës.
Seanca e radhës në këtë çështje penale do të mbahet më 4 shtator 2018, në ora 10:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 janar 2018, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Mehmet Mazrek, të cilin e akuzon se më 13 dhjetor 2017, rreth orës 18:00, ka kanosur biznesmenin Reshat Morina për shkak të një mosmarrëveshjeje.
Sipas aktakuzës, në ditën kritike, i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit dhe ka kërkuar që i njëjti të mos i privatizojë disa prona që ai i ka në shfrytëzim, ndërsa pasi që i dëmtuari nuk kishte pranuar një kërkesë të tillë, i akuzuari duke dalë nga shtëpia i ka thënë të dëmtuarit se nëse nuk tërhiqet nga privatizimi i pronës, do t’ia vrasë fëmijët./betimiperdrejtesi/