19-04-2024

Prizren: Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës

Në Gjykatën Themelore në Prizren, me kërkesën e përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, avokatit Blerim Mazreku, i cili nuk i posedonte shkresat e lëndës, është shtyrë seanca e së enjtes ndaj të akuzuarve për korrupsion Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi.

I akuzuari Arben Krasniqi si udhëheqës i Sektorit Ligjor dhe Shqipëron Krasniqi si përfaqësues ligjor i Komunës së Prizrenit, po akuzohen se në mënyrë të paligjshme kanë bërë këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së enjtes, avokati Mazreku ka deklaruar se nuk posedon asnjë shkresë të lëndës, për të cilën Komuna e Prizrenit është propozuar si palë e dëmtuar dhe ka propozuar që kjo seancë të shtyhet.

“Nuk jam fare i njoftuar se për çfarë akuzohen këtu të akuzuarit dhe nuk mund të paraqes pretendimet e Komunës së Prizrenit lidhur me këtë rast”, tha Mazreku.

Prokurorja Nazan Shero, nuk e ka kundërshtuar propozimin e avokatit Mazreku dhe ka shtuar se në afat ligjor prokuroria do të pajisë me shkresa të lëndës palën e dëmtuar.

Gjithashtu, i akuzuari Arben Krasniqi dhe mbrojtësi i tij, avokati Driton Shehu nuk e kundërshtuan propozimin e palës së dëmtuar.

Ndërsa, i akuzuari Shqipron Krasniqi ka deklaruar se pajtohet me përfaqësuesin e palës së dëmtuar dhe ka shtuar se kjo lëndë po zvarritet për shkak të lëshimeve teknike.

Në mungesë të kushteve ligjore, seanca e sotme është shtyrë kurse e radhës është caktuar të mbahet më 3 tetor 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 11 qershor 2020, të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në procedurën jokontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit me pronën e propozuesit Vitmir Jemini.

Në aktakuzë thuhet se, Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar, nuk e kundërshton propozimin e propozuesit të parashtruar për rregullimin e vijës kufitare të tokës (mexhës), në të cilën procedurë ai ka përfaqësuar Komunën e Prizrenit, e gjatë së cilës procedurë një pjesë e ngastrës kadastrale me numër 3036-4 ZK Prizren, me sipërfaqe prej 90 m2, pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjese të ngastrës kadastrale nr. 3038-0, ZK Prizren, në sipërfaqe prej 90 m2, pronë e propozuesit Vitmir Jemini, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës, me Nr. 04/L-144.

Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Arben Krasniqi, në cilësi të udhëheqësit të Sektorit Ligjor pranë Kuvendit Komunal në Prizren dhe i pandehuri Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor pranë Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesën, ndërsa pas përfundimit të kësaj lënde, propozuesi Vitmir Jemini, pajiset me leje ndërtimore, me numër 04-351/02-22873, të datës 1 mars 2019, të lëshuar nga Drejtoria për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor në Prizren dhe me këtë këmbim të sipërfaqes prej 90 m2, i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, ndërtesës banesore, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”, që gjendet në rrugën “Adnan Krasniqi”, në Prizren.  

Me këtë, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Asnjë koment

Comments are closed.