Shumë persona pritet të konkurrojnë për 11 pozitat e shpallura në konkursin për shëndetësi, nga ana komunës, për të cilin autoritetet lokale premtojnë transparencë dhe korrektësi, për të përzgjedhur më të suksesshmit.
Konkursi është i hapur deri me 8 maj, ndërsa të drejtën e aplikimit e kanë stomatologët, farmacistët dhe infermierët e përgjithshëm. Nga 11 pozitat janë 4 vende për infermierë në shërbimin urgjent, tri në fshatrat Lubizhdë e qytetit, Lubinjë të Epërme dhe në Reqan. Po ashtu kërkohet edhe punëtor higjienik.
Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka ka ftuar të gjithë kandidatët e interesuar të aplikojnë për pozitat e lira të punë në sektorin e shëndetësisë, duke deklaruar se përzgjedhja, siç ka thënë do të bëhet me transparencë radikale, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Këtë e ka premtuar edhe drejtoresha për Shëndetësi, Flaka Siqeca, e cila derisa ka sqaruar procedurat për konkursin e hapur në sektorin e shëndetësisë primare, në “Televizionin e Prizrenit” ka deklaruar se i tërë procesi do të zhvillohet mbështetur në Udhëzimin Administrativ përkatës, që përcakton kriteret për rekrutim, ndërsa komuna do t’i përmbahet.
“Procesi i përzgjedhjes për këto pozita profesionale, do të jetë transparent. Nuk guxon të ndodhë ndonjë asnjë manipulim, ndërsa e tëra do të mbikëqyret edhe nga monitorues të jashtëm, mediat dhe nga OJQ-të”, ka thënë ajo, raporton “Gazeta e Prizrenit”.
Zyrtarë kanë thënë se në konkurs, pritet konkurrencë e madhe, madje deri në rreth 300 persona, ndërsa komisioni përzgjedhës do të bëhet pak para testit, e në të do të ketë edhe një femër dhe përfaqësues të komunitetit. Përpilimi i pyetjeve do të bëhet edhe në gjuhën e komuniteteve, të cilët aplikojnë.
Përzgjedhja e kandidatëve është paraparë të bëhet përmes testit, që edhe do të jetë faza e parë e filtrimit. Sipas Siqecës, ata që marrin më shumë pikë, do të rangohen për t’u punësuar, e në rast të pikëve të barabarta, do të merren parasysh disa përparësi për grupe më të margjinalizuara, përfshirë edhe persona që kanë familjarë me nevoja të veçanta apo familjar të dëshmorëve.
Zyrtarët kanë deklaruar se do të jenë azhur në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më parë, pasi pritja krijon stres për konkurrentët dhe familjet e tyre.