Prizren: Sot fjala përfundimtare ndaj serbit Darko Tasiq, krushianët protestojnë për drejtësi para Gjykatës
Sot në orën 10:00, në Gjykatën Themelore në Prizren do të mbahet seanca, në të cilën do të jepet fjala përfundimtare ndaj serbit Darko Tasiq, i akuzuar për krime kundër popullatës civile të fshatit Krushë e Vogël të Prizrenit.
Ai akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), se gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë.
Në shenjë revolte, banorët e Krushës së Vogël kanë paralajmëruar protestë para Gjykatës në Prizren, për të kërkuar drejtësi për krimet e kryera në fshatin e tyre, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.
Ata kanë apeluar protestuesit t’i respektojnë masat ndaj Covid-19.
Mbështetur në aktakuzë, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.
Tasiq, i cili deri në vitin 1999 bashkë me familjen e tij kishte jetuar në Krushë të Vogël, sipas aktakuzës së PSRK-së ngarkohet edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.
Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. /GazetaePrizrenit.net/